Lajme
Kievi merr përgjegjësinë për vrasjen e një zyrtari rus në territorin e pushtuar
Demokracia
17:14 | 08 Nëntor 2023

Share:

Ukraina mori sot përgjegjësinë për vrasjen e Mykhailo Filiponenko, një ligjvënës dhe ish-zyrtar i lartë ushtarak në rajonin e Luhanskut të Ukrainës (në lindje) të kontrolluar nga Rusia.

“Operacioni special për vrasjen e Filiponenko u krye së bashku me përfaqësuesit e lëvizjes së rezistencës të ukrainasve në këtë zone”, thanë shërbimet e inteligjencës ushtarake (GUR) nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

Filiponenko ishte i përfshirë në organizimin e dhomave të torturës për të burgosurit e luftës dhe civilët e Ukrainës në pjesën e pushtuar të rajonit të Luhansk dhe “vetë personalisht” mori pjesë në tortura, sipas deklaratës së GUR në Telegram.

Më herët gjatë ditës së sotme, media dhe zyrtarë rusë kishin raportuar për vdekjen e Mikhail Filiponenkos në një shpërthim në automjetin e tij në Luhansk.

Komiteti Hetimor Rus publikoi imazhe që tregojnë një automjet 4X4 me xhamat e thyer dhe një derë të përparme të majtë të dëmtuar. Sipas të njëjtit burim, është hapur një hetim për “sulmin terrorist”.

Udhëheqësi i administratës pushtuese të rajonit të Luhanskut, Leonid Pasechnik, foli në Telegram për një “burrë të vërtetë”, i cili sipas tij kishte ende “shumë plane” për të “zhvilluar” në rajonin e pushtuar.

Një tjetër deputet vendas në këtë territor të pushtuar, Yuri Yurov, raportoi në Telegram se Mikhail Filiponeko kishte qenë tashmë objektiv i një sulmi me bombë në Luhansk kundër makinës së tij më 21 shkurt 2022. Nga ai shpërthim, ai doli i gjallë “për mrekulli”, dhe në atë sulm ka mbetur i lënduar vetëm shoferi.

Mikhail Filiponenko ishte një nga themeluesit e ushtrisë separatiste të Luhanskut në vitin 2014 në fillimin e luftës midis Kievit dhe trupave pro-ruse dhe të mbështetura nga Moska.

Katër rajonet ukrainase të aneksuara nga Moska (Donetsk, Luhansk, Kherson, Zaporizhia) goditen shpesh nga sulme, ndonjëherë vdekjeprurëse, duke synuar zyrtarë të administratës pushtuese ruse.

Të ngjashme