Lajme
KGJK thotë se nuk e menaxhon objektin e Pallatit të Drejtësisë në aspektin teknik
Demokracia
17:35 | 25 Gusht 2022

Share:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) thotë se mirëmbajtja e Pallatit të Drejtësisë bëhet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, andaj ky objekt nuk menaxhohet në aspektin teknik nga KGJK.

Kështu është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi“, në një përgjigje me shkrim nga KGJK.

“Ju informojmë se mirëmbajtja e Pallatit të Drejtësisë ku është edhe objekti i Gjykatës Themelore i Prishtinës bëhet nga Ministria e Punëve te Brendshme dhe Administratës Publike, ky objekt nuk është në menaxhim të KGjK në aspektin teknik. Në Pallatin e Drejtësisë qëndrojnë ekipet e përhershme të mirëmbajtjes teknike dhe higjienike të kontraktuara nga MPB dhe mbikëqyrur nga stafi inxhinierik i MPB”, thuhet në përgjigje.

Tutje thuhet se lidhur me problemet brenda objektit njoftohet ekipi teknik i MPB-së por edhe KGJK, ku në disa raste i është drejtuar me shkrim zyrtarëve të MPB-së për përmirësimin e situatës në Pallat.

“Për çdo defekt ose mosfunksionim të pajisjeve qoftë edhe sistemi i klimatizimit, gjykata i drejtohet ekipit teknik të MPB që gjinden në Pallatin e Drejtësisë dhe për këtë njoftohet edhe KGjK. Shumë herë për probleme teknike që janë paraqitur në Pallatin e Drejtësisë e që nuk kanë marrë përgjigje të shpejtë nga stafi teknik i MPB-së, KGjK ju është drejtuar edhe me shkrim zyrtarëve të larte të MPB për përmirësimin e situatës ne Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Ndryshe, punonjësit e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, po protestojnë për përmirësim e kushteve të punës.

Ata po kërkojnë nga institucionet përgjegjëse, që të marrin masa urgjente për të përmirësuar gjendjen në këtë objekt, në mënyrë që të mos ketë probleme gjatë mbarëvatjejes së punës.

Të ngjashme