Lajme
KGJK: Paditë kundër Kuvendit për pagat në sektorin publik do të regjistrohen vetëm fizikisht
Demokracia
08:12 | 06 Maj 2025

Share:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka marrë vendim që të gjitha paditë e ushtruara nga zyrtarët publikë ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, me të cilat kërkohet kompensimi në emër të përvojës së punës sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në sektorin publik, të regjistrohen vetëm në mënyrë fizike.

Ligji për pagat në sektorin publik e kishte ulur përqindjen e shtesës mbi përvojën e punës për 15 vitet e para nga 0.5% në 0.25%. Por, pasi rasti ishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese, kjo e fundit e kishte obliguar Kuvendin që deri më 1 gusht 2024 të marrë të gjitha veprimet për ta kthyer nivelin e pagesës së punës në të paktën 0.5%, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për shkak se Kuvendi nuk e zbatoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dorëzuar rreth 2 mijë padi brenda një dite, duke bërë që të ngarkohet sistemi gjyqësor.

“Të gjithë paditë e reja me objekt kontesti-Kompensimi material nga marrëdhënia e punës, në emër të provoje së punës (nga 0.25 % në 0.5 %) sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO79/23 i datës 23 janar 2024, lidhur me vlerësimin e Kushtetutshmërisë ssë Ligjit Nr, 08/l-196 për pagat në Sektorin Publik, do të regjistrohen vetëm në mënyrë manuale në regjistrin fizik të procedurës kontestimore me ankrionimin CC.nr.01/2025”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

Në arsyetimin e vendimit të marrë më 29 prill 2025, thuhet se deri te kjo vendosje e Këshillit ka ardhur pasi që kemi të bëjmë me një rrethanë të jashtëzakonshme e cila ndikon direkt në mbarëvajtjen efikase dhe efektive të punës në gjykata.

Sipas KGJK-së, kjo është arsyeja se përse është vendosur që në këtë fazë, të gjitha këto padi të regjistrohen vetëm në mënyrë manuale në regjistrin përkatës fizik.

KGJK thekson se vendimi është marrë bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor që Këshilli ka lidhur me administrimin e gjyqësorit, përkatësisht funksionimin efikas të gjykatave.

Më 20 mars 2025, IKD kishte organizuar takim diskutues me përfaqësues të partive politike të zgjedhur në Legjislaturën e IX-të, me përfaqësues të sindikatave të sektorit publik dhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Në këtë takim ishte diskutuar për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe është publikuar raporti me titull: “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”.

Në raport thuhet se nëse Kuvendi nuk vepron dhe zyrtarët publikë detyrohen t’i drejtohen gjykatës, potenciali në këtë rast është se gjykatat do të vërshohen me rreth 90 mijë lëndë të reja, të cilat do të duhet t’i trajtojnë një për një.

“Kjo situatë do të rëndonte tejmase gjyqësorin me lëndë. Përpos gjyqësorit, kjo situatë do të dëmtonte edhe buxhetin e Republikës së Kosovës, për shkak të obligimit të pagesës së shpenzimeve procedurale. Në bazë të një kalkulimi të përgjithshëm, nga buxheti i Kosovës do të shpenzohen 35,770,502 euro për shpenzime procedurale, pa përfshirë kamatën ligjore dhe shpenzimet e mundshme përmbarimore”, ishte theksuar nga IKD.

Të ngjashme
Lajme • 06 Maj 2025