Lajme
KGJK merr vendim që gjykatat të shkojnë në pushim zyrtar në këto data gjatë sezonit të verës dhe dimrit
Demokracia
12:58 | 08 Maj 2025

Share:

Këshilli Gjyqësorë i Kosovës (KGJK) në takimin 346-të, të enjten, ka miratuar vendimin që gjatë sezonit të verës (25 korrik- 20 gusht) dhe dimrit (24 dhjetor- 8 janar), gjykatat të shkojnë në pushim zyrtar kolektivisht- në përjashtim të rasteve urgjente, me qëllim të eliminimit të dështimit të seancave gjyqësore.

Fillimisht, kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, njëherit anëtar i KGJK-së, Fahret Vellija propozoi që pushimi veror të jetë nga 25 korriku deri më 21 gusht, kurse ai dimëror nga 24 dhjetori deri më 8 janar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Propozojmë që në rastin konkret, Gjykatat të jenë në pushim zyrtar dhe atë duke filluar nga data 25 korrik e deri më 21 gusht sa i përket periudhës verore, si dhe nga data 24 dhjetor e deri më 8 janar të vitit kalendarik. Gjatë kësaj periudhe kohore i kemi rekomanduar punët që duhen të kryhen nga ana e gjykatave, pezullohen të gjitha seancat gjyqësore dhe propozohen që pjesa më e madhe e pushimeve të realizohen gjatë kësaj kohe, përjashtimisht trajtimi i rasteve emergjente…”, tha Vellija.

Më pas, kryesuesi Albert Zogaj tha se vendimi në fjalë lidhet me Rregulloren për pushimet në administratën gjyqësore, që parimisht vlen edhe për gjyqtarë dhe se periudha e pushimit veror do të jetë nga 25 korriku deri më 20 gusht.

Sipas Zogajt, brenda kësaj periudhe të planifikojnë pushimet edhe prokurorët dhe avokatët, duke eliminuar mundësinë e dështimit të seancave gjyqësore, dhe se gjatë kësaj periudhe të përfshihen vetëm shërbimet esenciale.

Për këtë vendim, u tha se do të njoftohet sistemi prokurorial, si dhe Oda e Avokatëve.

Kryesuesi theksoi se përderisa nuk kanë të përcaktuar një akt të veçantë, e që pritet të bëhet nga pakoja e ligjeve për Reformën në Drejtësi, sipas tij, kjo formë e vlerësimit është më e mirë dhe se është e vazhdimësi e proceseve të mëparshme.

Gjithashtu, KGJK-ja në këtë takim ka miratuar vendimin për vlerësimin e performancës së anëtarëve të Këshillit, si dhe u bë themelimi i komisioneve.

Më pas, u shpall konkurs për administratorë në Gjykatën Supreme, Dhomat e Gjykatës Supreme, Gjykatën Komerciale, Gjykatën Themelore në Pejë, si dhe ato në Gjilan, Prizren dhe Ferizaj.

Paraprakisht, me propozim të anëtarit Vellija u fshi kriteri i përvojës menaxheriale, pasi që sipas tij, ky kriter ka ndikuar që disa procese për administratorë gjatë vitit 2023 dhe 2024, të dështojnë.

 

Të ngjashme