Lajme
KGJK ende pa vendim për bartjen e katër rasteve të krimeve të luftës nga Gjykata e Mitrovicës në atë të Prishtinës
Demokracia
15:28 | 21 Maj 2023

Share:

Katër raste të krimeve të luftës po qëndrojnë pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Me rastet e njohura si Zoran Vukotiq I, II dhe III, si dhe rasti “Drenica I”, nuk është proceduar për më shumë se katër vite, duke u shkelur edhe të drejtat e të akuzuarve për gjykim në afat të arsyeshëm.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka parashtruar kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që këto lëndë të trajtohen në Departamentin Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Departamenti Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, posedon kapacitetin profesional dhe stafin mbeshtetës të nevojshëm, ku gjyqtarët janë të përzgjedhur me kritere plotësuese, përveç kritereve të përgjithshme dhe të veçanta, prandaj konsiderojmë se ky Departament patjetër duhet të jetë më efikas në trajtimin e këtyre rasteve”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.

Për shkak të rrethanave që kanë shoqëruar Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndër vite, Veliqi ka thënë se Departamenti për Krime të Rënda i kësaj gjykate, ka qenë Departamenti me numrin më të madh të lëndëve të trashëguara për vite të tëra në nivel të vendit.

Ai shtoi se aktakuzat e lëndëve në fjalë janë të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, raste këto që trajtohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, prandaj edhe vlerësojnë që ky Departament ka kompetencë ligjore dhe profesionale në trajtimin e lëndëve të kësaj natyre.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” ka parashtruar pyetje në drejtim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në lidhje me arsyet se pse ende nuk ka marrë vendim në lidhje me këtë kërkesë, dhe se kur pritet të merret ky vendim, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk janë përgjigjur.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja më 20 prill 2017, në rastin “Zoran Vukotiq I”, i akuzuari Vukotiq ngarkohet se në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Bazuar në aktakuzë, në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi, janë, Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Rrahmon Ademi, një 14 vjeçar i paindentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu, Musa Gërxhaliu, Bajram Gërxhaliu, Bahrije Gërxjaliu dhe Avdi Gërxhaliu.

Ai gjithashtu akuzohet se në periudhën maj deri në fillim të qershorit 1999, si rezervist në stacionin policor në Vushtrri, si roje burgu, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në paraburgimin e paligjshëm të një numri të madh të civilëve shqiptarë në Burgun e Smrekonicës në rajonin e Mitrovicës, gjatë së cilës periudhë këta civilë iu ekspozuan qëllimisht trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, torturave dhe rrahjeve për të cilat i akuzuari Zoran Vukotiq, mban përgjegjësi personalisht.

Më 25 maj 2018, Gjykata Themelore në Mitrovicë, Vukotiqin e kishte shpallur fajtor për pikën 3 të aktakuzës, duke u dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim, për krime lufte kundër popullatës civile të sanksionuara me Konventat e Gjenevës.

Ndërkaq, i akuzuari Vukotiq, ishte liruar nga akuza për pikën 1, që e ngarkonte atë për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë, pasi nuk ishte vërtetuar se e kishte kryer veprën penale në fjalë.

Në maj 2019, pasi Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e palëve lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, e ka kthyer rastin në rigjykim të pjesshëm, duke e aprovuar ankesën e PSRK-së. Kështu, Apeli e kishte kthyer në rigjykim rastin sa i përket pikës I të aktakuzës, që e ngarkonte Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë, e nga e cila pikë, Vukotiq ishte liruar nga shkalla e parë. Kurse, për pikën II të aktakuzës, Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin e shqiptuar prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarit Vukotiq, pasi nuk ka gjetur shkelje në këtë pjesë, dhe si rrjedhojë ankesat i ka refuzuar si të pabazuara.

Pas kthimit në rigjykim, rasti i është ndarë gjykatësit Bekim Veliqi.

Kurse, në rastin “Zoran Vukotiq II”, sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja më 16 maj 2017, i akuzuari Zoran Vukotiq ngarkohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje me të pandehurin Guroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë plaçkitur persona civilë shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë e tyre.

Bazuar në aktakuzë, Vukotiq dhe Paunoviq, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Gjithmonë sipas aktakuzës, katër të lartpërmendurit fillimisht janë rrahur dhe maltretuar nga rezervistët serbë në prani të Sanije Fazliut dhe Fikrije Fazliut, ku më pas në prani të tyre nga një afërsi kanë shtënë me armë në gjoks në Enver Rrustollin, dhe pastaj vazhdojnë të shtënat me armë në kokë dhe në gjoks në tre personat e tjerë, Avdullah, Fahredin dhe Hamdi Fazliun, dhe nga ky veprim, sipas aktakuzës, dalin dhe largohen nga shtëpia.

Po ashtu, në kuadër të kësaj aktakuze, Zoran Vukotiq, në bashkëkryerje, akuzohet se në mënyrë ç’njerëzore ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar, Sanije Fazliun, Fikrije Shaqirin, Vehbi Xhemën, Zejnepe Xhemën, Nexhmi Xhemën, Besart Xhemën, Zeliha Xhemën, Behar Pllanën, Luljeta Rashicën, Gani Maxherën, Halim Maxherën, Gazmend Shabanin, Ahbet Sahitin, Skender Shabanin, Bejt Osmanin, Shukrije Osmanin dhe Faik Musën, të cilët sipas kësaj aktakuze, janë rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat të dëmtuarit e lartcekur i bartin edhe sot.

Më 16 maj 2018, Vukotiq në mungesë të provave ishte liruar nga kjo akuzë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Dariusz Sielicki, fajësia duhet të provohet përtej dyshimit të bazuar.

Më pas, Gjykata e Apelit, më 9 janar 2019, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, pas ankesës së PSRK-së dhe sipas detyrës zyrtare.

Në vendimin e Apelit, thuhet se në këtë rast është bërë shkelje esenciale e dispozitave të procedurës penale, të cilat rezultojnë edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Pas kthimit në rigjykim, rasti i është ndarë gjykatësit Bekim Veliqi.

Në rastin “Zoran Vukotiq III”, i akuzuari Zoran Vukotiq po ngarkohet se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 prill 1999, rreth orës 15:00, në rrugën “Rruga e Sitinicës” tani “Enver Musa”, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri në bashkëkryerje me NN personat, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë serbe dhe të armatosur, kanë vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit në Kosovë, duke shkelur nenin 3 (1a), të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949, po ashtu dhe protokollin shtesë të kësaj konvente, i vitit 1977, neni 4, pika 1 dhe 2.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Vukotiq, në bashkëkryerje ka vrarë djaloshin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13 vjeçare, B.M., me armë automatike në atë mënyrë që tani viktima, së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin, kishin marrë biçikletën e fqinjit Skender Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë. Më pas, ata kishin dëgjuar disa krisma të armëve, me ç’rast ndërrojnë rrugën dhe nisen në drejtim të rrugës “Enver Musa”, ku pikërisht në rrugën kryesore hasin në tre policë të armatosur.

Tutje, gjithmonë sipas aktakuzës, kur dy fëmijët i shohin policët, fillojnë të ikin, ku njëri nga policët e unifomuar, tani i pandehuri Zoran Vukotiq, nga largësia prej 30 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve, duke qëlluar në gjoks B.M, i cili vdes menjëherë, ndërsa Faton Muli, arrin t’iu shpëtojë të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit, i cili gjendej aty afër.

Me këtë, i akuzuari Vuktotiq, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, në kundërshtim me nenin 142 të lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (KPRSFJ), paralel me nenin 3 (1 a), i përbashkët për katër Konventat e Gjenevës, po ashtu e përfshirë me nenin 153 (2), lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2019, ky rast është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Kurse, në rastin “Drenica I“, në qershor të 2019-ës, Gjykata Supreme e ka kthyer në rivendosje rastin për Sylejman Selimin, lidhur me akuzën për keqtrajtim të një personi në mbajtje në Likoc.

Të ngjashme