Në këtë muaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe konzorciumi i përbërë nga kompanitë eDev, E-Tech dhe Bridge X Solutions, kanë nënshkruar kontratën për dizajnimin dhe zhvillimin e sistemit informativ të menaxhimit të buxhetit, financave, të ardhurave dhe pasurive jofinanciare, si dhe sistemit informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, zhvillimi i të cilave mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST), shkruan Demokracia.com.
Bazuar në komunikatën e KGJK-së, sipas autorizimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, marrëveshjen e ka nënshkruar Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi.
Demokracia.com ka gjetur se njëra prej kompanive në konzorcium, “E-Tech”, nuk është aktive. Pra, e ka statusin pasiv. Kjo shihet edhe nga të dhënat e uebfaqes së ARBK-së, e cila aktualisht është në ridizajnim. Po ashtu, që kompania është me status pasiv shihet edhe nga faqja “biznesetehapura.com”, faqe kjo që ka të transferuara të dhënat e ARBK-së.
Lidhur me këtë, Demokracia.com ka raportuar më 30 nëntor dhe një ditë më vonë ka dërguar edhe pyetje në KGJK, lidhur më atë se pse kjo procedurë e prokurimit që është nënshkruar nga KGJK, nuk ka qenë e publikuar në faqen e KRPP-së, ku do të shiheshin të dhënat e plota lidhur me këtë procedurë.
KGJK-ja ka kthyer përgjigje gjatë ditës së sotme dhe më pas ka vendosur të bëjë një reagim përse nuk është kontaktuar para se të publikohej artikulli, ndonëse të dhënat ishin publike.
“Tani ne e kuptuam se ju e keni publikuar me datë 30 nëntor 2023, artikullin e titull: ‘Këshilli Gjyqësor i Kosovës nënshkruan kontratë me kompaninë që është pasive në ARBK’, ndërsa në emailin e KGJK-së, keni dërguar pyetje me datë 1 dhjetor 2023 lidhur me këtë çështje.
Pa pasur njohuri që KGJK vetëm e ka nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e projektit, ndërsa përzgjedhja është bërë nga BE, ashtu siç pranuat përgjigjen në e-mailin paraprak. Andaj, ju lutem përditësoni artikullin me përgjigje të saktë që keni pranuar nga KGJK”, thuhet në reagimin e KGJK-së.
Në përgjigjen e saj lidhur më atë se pse kjo procedurë e prokurimit nuk është publikuar në KRPP dhe si ka ndodhur që të shpërblehet një kompani, e cila e ka statusin pasiv në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), KGJK ka dhënë përgjigjen e mëposhtme.
“Lidhur me kërkesën tuaj, të datës 1 dhjetor 2023, ju informojmë se Autoriteti Kontraktues: Sekretariati i Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Departamenti i Prokurimit, nuk ka zhvilluar procedurë të prokurimit me titull “Zhvillimi i sistemit informativ të menaxhimit të buxhetit, financave, të ardhurave dhe pasurive jofinanciare, si dhe sistemit informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore për Këshillin Gjyqësor të Kosovës”. Kjo procedurë dhe nënshkrimi i kontratës, janë zhvilluar në mbështetje për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nga Bashkimi Evropian, përmes Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST). Në këtë rast, Autoriteti Kontraktues: Sekretariati i Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Departamenti i Prokurimit, nuk ka asnjë informacion”.
Reagimi i KGJK-së drejtuar Demokracia.com dhe komunikata e tyre për shtyp e datës 23 nëntor kanë kundërthënie ndër vete.
Në reagim, KGJK-ja ka thënë se “Tani ne e kuptuam se ju e keni publikuar me datë 30 nëntor 2023, artikullin e titull: ‘Këshilli Gjyqësor i Kosovës nënshkruan kontratë me kompaninë që është pasive në ARBK’, ndërsa në emalin e KGJK-së, keni dërguar pyetje me datë 1 dhjetor 2023 lidhur me këtë çështje. Pa pasur njohuri që KGJK vetëm e ka nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e projektit, ndërsa përzgjedhja është bërë nga BE.
Në komunikatë, nuk është thënë se KGJK ka nënshkruar marrëveshje për zbatimin e projektit, por “Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe konsorciumi i përbërë nga kompanitë eDev, E-Tech dhe Bridge X Solutions, kanë nënshkruar kontratën”.
Duke e ditur se personat përgjegjës që nënshkruajnë kontratë, institucioni i tyre i zhvillon edhe procedurat e prokurimit, Demokracia.com e ka bërë hulumtimin e saj.
Megjithëkëtë, në reagimin dhe në përgjigjet e KGJK-së, nuk ka asnjë demant ndaj shkrimit të Demokracia.com, pos shfaqjes së pakënqësive se pse nuk janë kontaktuar gjatë kohës kur është realizuar shkrimi, por më pas. Ndërsa, për ta nuk është fare me rëndësi nëse kompania “E-Tech”, e cila do të jetë pjesë e implementimit të projektit e ka statusin e kompanisë pasive në ARBK. Pra, në këto rrethana është kompani inekzistente dhe ky është rast i paprecedent, të paktën në prokurimet publike të Kosovës. Për KGJK, siç shihet është e mjaftueshme që kanë marrë paratë për implementimin e projektit, por nuk kanë treguar sa ka qenë vlera e projektit.
Jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për një shumë prej rreth 90 mijë eurosh. Demokracia.com do të kërkojë edhe nga EUKOJUST informacione se si është realizuar kjo procedurë e prokurimit.
DOKUMENT | Këshilli Gjyqësor i Kosovës nënshkruan kontratë më kompaninë që është pasive në ARBK