Lajme
KFOR për deklaratën e Kearns se në veri po kontrabandohen armë nga Serbia: Po verifikojmë faktet, do të japim përgjigje sa më shpejt
Demokracia
21:20 | 04 Korrik 2023

Share:

KFOR ka thënë se janë duke verifikuar faktet dhe se do të japin një përgjigje sa më shpejt që të jetë e mundur, lidhur me deklaratën e Kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, e cila ka thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë, përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse.

“Ne jemi duke verifikuar faktet dhe do të japim një përgjigje gjithëpërfshirëse sa më shpejt të jetë e mundur”- kanë thënë shkurt nga KFOR-i për Kallxo.com.

Kerns tha se KFOR-i britanik është në dijeni për këtë.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje– ndodhi e papritura– një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët”- ka deklaruar Kearns.

Deputetja britanike këto deklarata i kishte thënë sot gjatë një diskutimi në kuadër të “Javës së Përkujtimit të Srebrenicës”

Ndryshe, tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, qytetarë të komunitetit serb kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.Po ashtu, protestuesit kanë sulmuar edhe policët, gazetarët dhe qytetarë.

Të ngjashme