Lajme
KFOR-i mohon raportin e propozuar në NATO: Cila është e vërteta për tërheqjen e grupit të Radojçiqit?
Demokracia
20:25 | 26 Maj 2024

Share:

Misioni paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, ka hedhur poshtë pretendimet e bëra në një draft raport që pritet të miratohet nga Asambleja Parlamentare e NATO-s. Raporti, duke cituar Grupin Ndërkombëtar të Krizave, pretendon se KFOR-i ka negociuar largimin e terroristëve/paraushtarakëve serbë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.

Në një reagim të plotë të lëshuar sot, KFOR-i ka thënë se pohimi për përfshirjen e tyre në negociata është “i pasaktë”. Misioni ka sqaruar se KFOR-i në asnjë moment nuk është angazhuar në negociata lidhur me tërheqjen e grupit.

“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e KFOR-it.

NATO, e cila mbikëqyr operacionet e KFOR-it, ka theksuar rëndësinë e vërtetimit të fakteve dhe sigurimit që autorët e sulmit të përballen me drejtësinë.

“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen.” – thuhet më tej në reagim.

KFOR-i përsëriti përkushtimin në përputhje me mandatin, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.” – ka bërë të ditur KFOR-i.

Çka thotë Raporti?

Në raportin e Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri, pika 51, duke cituar Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thuhet ndër të tjera se KFOR-i negocoi tërheqjen për në Serbi të rreth 30 sulmuesve paraushtarak e terroristë që udhëhiqeshin nga kryeorganizatori i sulmit, Milan Radojçiq.

“Pas një periudhe të shkurtër deeskalimi gjatë verës, në shtator 2023, rreth 30 persona të armatosur u përleshën me policinë në Banjska në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda një manastiri ortodoks serb, duke rezultuar në një rrethim që vrau një oficer policie dhe tre sulmuesit ( Dunai, 2023). Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, në të cilat ata u zhdukën (ICG, 2024)”, thuhet aty

Aty thuhej që KFOR-i, duke u frikësuar nga një “gjakderdhjeje”, kishte negociuar tërheqjen e paraushtarakëve serbë që ia kishin mësyer veriut në shtatorin e vitit të kaluar.

“Një përplasje e tensionuar pasoi midis grupit dhe policisë speciale të Kosovës që i rrethonte. Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”.

‘Pse s’u tregua se çfarë ndodhi?’

Gazetari Lirim Mehmetaj, ka shtruar pyetjen se “Kush dhe me çfarë të drejte ka negociuar me KFOR-in që t’i krijojë shteg të sigurt largimi vrasësve të policit të Kosovës Afrim Bunjaku?”, pasi sipas Raportit të Komisionit për Siguri në Asamblenë e Natos, doli se terroristët që ishin rrethuar nga Policia e Kosovës, u lejuan të dilni të lirë, pas një negocimi me KFOR-in.

“Albin Kurti dhe Xhelal Svecla duhet urgjentisht të përgjigjen: Përse negociuan ikjen e Radojicic-it nga Kosova? Përse asnjëherë nuk treguan se çfarë ka ndodhur? A është kjo arsyeja që këta asnjëherë nuk ndërtuan një raport përfundimtar për ngjarjet në Banjë, përkundër se edhe BE-ja ua kishte besuar atyre që ta kryenin hetimin dhe të vijnë me përfundime?” – shkruar ndër të tjera Mehmetaj.

Ndërsa analisti Ilir Mirena ka rikthyer një status që kishte shkruar në Facebook po ato ditë se pse ishte lejuar të largohej Radojçiqi me më shumë se 30 terroristë të tjerë.

“Se e patën leju me u largu Radojqiqin pa therrë n’kamb e patëm ditë ato ditë kur ndodhi Banjska. Çka s’po e dijmë as sot, është se pse e lejuan me u largu?…”, ka shkruar Mirena teksa ka bashkëngjitur një shkrim të 26 shtatorit të vitit të kaluar.

Të ngjashme