Lajme
KFOR-i dhe Qeveria Kurti me raporte të tensionuara, raportohet se komandanti i KFOR-it ia ka lëshuar në gjysmë takimin Besnik Bislimit
Demokracia
17:01 | 25 Dhjetor 2022

Share:

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti dhe KFOR-i në Kosovë, nuk i kanë hiç mirë raportet mes tyre.

Ngjarjet në veri i kanë tensionuar marrëdhëniet e tyre deri në mungesë të theksuar të komunikimit elementar.

Demokracia.com ka mësuar se komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, e ka pasur një takim njoftues me Besnik Bislimin, por ai e ka lëshuar takimin shkaku i pamaturisë dhe qasjes së zëvendësit të Kurtit, i cili e ka kritikuar KFOR-in dhe bashkësinë ndërkombëtare.

KFOR-i, siç ka mësuar Demokracia.com, po koordinohet shumicën e kohës direkt me drejtuesit e Policisë së Kosovës për zhvillimet në veri dhe jo me Qeverinë Kurti.

Ditët e fundit edhe deputetët e Kurtit në mënyrë të vazhdueshme e kanë kritikuar KFOR-in.

“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave ndërkohë që u bënë disa ditë”, shkroi deputeti i LVV-së, Artan Abrashi.

“Sot, si pasojë e bllokimit të rrugëve nacionale një qytetare e komunitetit serb ka ndërruar jetë vetëm pse nuk pati mundësi të marrë tretman mjekësor. Liria e lëvizjes dhe e drejta për të marrë shërbimet shëndetësore janë të patjetërsueshme”, vazhdonte kritikën e tij Abrashi kundër KFOR-it para disa ditësh.

Pas tij ishte edhe deputeti tjetër i LVV-së, që i pëlqen të përzihet ngapak në punët e institucioneve të sigurisë, Mefail Bajqinovci.

“Kfori kërkoi pak ditë, ndërkohë sot u bën 12 ditë. Asnjë reagim”, shkroi Bajqinovci.

Ndërsa, pa reaguar nuk e la as deputeti Dimal Basha.

“Në Ukrainë, Amerika po ndihmon forcat e Zelenskit me luftu ushtrinë kriminale të Putinit! N’anën tjetër, në Kosovë lejojnë që Putini i vogël me një grusht kriminelësh m’i sfidu forcat e NATO-s me barrikada. Është e pakuptueshme me luftu Putinin e madh, e me ledhatu t’voglin. Por është edhe ofendim për KFOR-in që disa bandita mos me lanë me ushtru detyrën e tyre. KFOR-i me mandat e ka me siguru lëvizjen e lirë për qytetarë, e në këtë rast më së shumti po e vuajnë vet qytetarët serb në veri!”, kishte shkruar Basha, të cilit deri vonë i dukej që Kosova kurrë nuk ishte me sovranitet më të shtrirë se me Qeverinë Kurti. /Demokraia.com/

Të ngjashme