Lajme
KFOR: FSK mund të shkojë në veri vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it
Demokracia
20:22 | 16 Qershor 2023

Share:

KFOR-i ka thënë se vendosja e Forcave të Sigurisë të Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

“Po ashtu, ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Armatosura të Sigurisë në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it”, thotë komunikata.

Lidhur me kidnapimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe, KFOR-i ka thënë se ende nuk dihet qartësisht se ku u arrestuan policët e Kosovës.

“Bazuar në të dhënat në dispozicion, mbetet e paqartë se ku ishin zyrtarët policorë të Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhet në njoftim.

KFOR-i në këtë komunikatë kanë deklaruar se në vijën kufitare të Kosovës me Serbinë, autoritetet e të dyja vendeve kanë përgjegjësi të qartë për koordinim me KFOR-in.

“Në këtë lokacion, afër Vijës Kufitare Administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in. I rikujojmë të dyja palët për përgjegjësitë e tyre sipas marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë policinë kufitare dhe KFOR-in.”, thotë komunikata.

KFOR-i gjithashtu ka bërë thirrje tek të dyja palët t’u përmbahen marrëveshjeve dhe të përmbahen nga retorika provokuese.

“U bëjmë thirrje palëve që t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”, thoë KFOR-i.

Për më tepër, KFOR-i ka thënë se i mirëpret të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi. Në komunikatë thuhet se KFOR-i vazhdon të ushtrojë mandatin e saj bazuar në rezolutën 1244.

“KFOR-i mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në koordinim me policinë e Kosovës dhe EULEX-in, KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij si reagues i tretë – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Gjeneralmajor Ristuccia, komandant i KFOR-it është në kontakt të rregullt me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik”, thotë komunikata.

Të ngjashme