Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla kanë skandalizuar në kuptimin e plotë të fjalës në konferencën e mbajtur të enjten në mëngjes, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e cila ndodhi një ditë pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia.
Emri i forcave të NATO-s në Kosovë, “KFOR-i”, ka qenë kryefjalë e konferencës së përbashkët të Kurtit dhe Sveçlës.
Që nga fundi i muajit maj, kur filloi vendosja e kryetarëve në komunat veriore, ndërkombëtarët kanë theksuar se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Kurti nuk kanë bërë asnjë koordinim për hapat që po ndërmerr dhe se po tensionin situatën.
Pavarësisht vërejtjeve dhe kritikave publike, kryeministri Kurti nuk ka pranuar të dëgjojë këto thirrje, duke këmbëngulur në të drejtën e shtetit të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj edhe në atë pjesë të vendit.
Por, tani që Serbia ka rrëmbyer tre policë kosovarë në Leposaviq, në një zonë afër kufirit me Serbinë, Kurti i pafuqishëm, i është rikthyer thirrjeve që ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë për lirimin e tyre.
Në këtë konferencë, ministri i brendshëm, Sveçla e ka lënë kufirin e Kosovës nën përgjegjësinë e KFOR-it, duke riaktualizuar kësisoj Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Mos të harrojmë se përgjegjësi për këtë vijë kufitare dhe sipas deklaratë të tyre është KFOR-i, nga të cilët presim që të dalin publikisht me qëndrimin e tyre lidhur me atë që ka ndodhur”, tha ministri i brendshëm, Sveçla, në prezencë të kryeministrit Kurti.
Gjatë kësaj konference, edhe kryeministri Kurti disa herë ka përmendur misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, për të cilin është ankuar se nuk i ka kthyer përgjigje në kërkesën që ka pasur ai.
“Unë mbrëmë ka pasur bisedë telefonike me të dy, edhe me emisarin special amerikan, Gabriel Escobar, edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier me të cilët kemi diskutuar situatën e sigurisë dhe unë u kam thënë se pres që KFOR-i të më sjellë informacion mua në formë të vlerësimit, konkluzionit, para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë e cila u mbajt sot në ora 7 të mëngjesit. Mirëpo, asnjë informacion”, u ankua Kurti.