Sport
Këto janë të gjitha zhvillimet që nga shpallja e zgjedhjeve në FFK
Demokracia
21:54 | 05 Prill 2022

Share:

Federata e Futbollit e Kosovës nesër (6 prill 2022) do të mbajë Kuvendin e Rregullt Zgjedhor.

Kandidat i vetëm për të parin e FFK-së është Agim Ademi, pasi që kundër-kandidati Gramoz Vokrri nuk arriti t’i certifikojë nënshkrimet e tij për të garuar.

Enigma e ka përmbledhur gjithë rrjedhojën nga shpallja e zgjedhjeve në FFK.

Më datën 2 mars të vitit 2022 Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi zyrtar pati njoftuar se ka shpallur zgjedhjet për Kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, kishin bërë të ditur se data 6 prill 2022, ditë e mërkurë do të mbaheshin zgjedhjet.

Para se të shpalleshin zgjedhjet, disa kandidatë veçse e kishin paraqitur kandidaturën për kryetar të FFK-së. Njëri ndër ta ishte edhe ish-presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi. Ai kishte deklaruar me 21 shkurt se do e shpall kandidaturën për kryetar të FFK-së.

Ejupi ishte tërhequr nga gara pas 12 ditëve kur FFK-ja i kishte shpallur zgjedhjet, pasi që sipas tij këto zgjedhje ishin jo legjitim. Në momentin kur e bëri të ditur që nuk do merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor, ai kishte thënë se as klubi i Prishtinës që përfaqësohet nga dy delegate nuk do të marrin pjesë në këtë kuvend.

Arianit Ahmeti ishte kandidati i tretë i cili i ishte futur rrugës për të marrë kreun e FFK-së.

Ish-zëvendës sekretari i FFK-së e kishte konfirmuar këtë lajm nëpërmjet një postimi në profilin e tij me 21 shkurt të vitit 2022. Ai kishte thënë se nënshkrimet duhet të mblidheshin në qershor për arsye se vetëm atëherë mund të shpalleshin zgjedhjet.

E kësisoj nuk kishte ndodhur, pasi që FFK-ja zgjedhjet i kishte shpallur me 6 prill, kurse Arianit Ahmeti ishte kundërshtuesi më i madhi i këtyre zgjedhjeve duke thënë se vendimi ka qenë skandaloz nga personi që ka uzurpuar pozitën e kryetarit të FFK-së dhe se vendimi është në kundërshtim me statutin e FFK-së ku në nenin 39, pika 3 thuhet se propozuesi duhet të protokollojë propozimin në Sekretariatin Gjeneral të FFK-së, në formë të shkruar dhe duke i deponuar së paku 15, nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK-së, me të dhënat e nevojshme, së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor. Vendimi për hapjen e garës dhe shpalljen e zgjedhjeve do të duhet të mbahej më 6 korrik, dy muaj më herët kandidatët e mundshëm do të kishin mundësi të dërgojnë propozimet me nënshkrime që i bie data 06/05/2022.Ky kuvend qysh në thirrje të tij ka shkelje serioze të procedurës juridike si e tillë dhe nuk mund të mbahet me 06/04.2022.

I fundit që kishte shpallur kandidaturën për të parin e futbollit në Kosovë, ishte Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Vokrri lajmin e kishte bërë të ditur me 15 mars i cili kishte thënë se pas mbështetjes që ia ka ofruar një numër i konsiderueshëm i klubeve kosovare, ai do t’i futej garës për të parin e FFK-së.

Menjëherë pasi që Vokrri kishte kishte shpallur kandidaturën, Arian Ahmeti ishte tërhequr nga gara duke thënë se do jetë ushtari i parë i Gramoz Vokrrit në këtë garë.

Një ditë më vonë, Vokrri, kishte deponuar edhe zyrtarisht nënshkrimet e nevojshme për të shpallur kandidaturën e tij për kryetar të FFK-së. Sipas mediave, Gramozi pati mbledhur 16 nënshkrime nga 15 të nevojshme për t’ju futur garës.

Pas një javë, më saktësisht me 23 mars, FFK-ja kishte njoftuar se Gramoz Vokrrit i është refuzuar aplikimi për kandidim, pasi ka gjetur parregullsi te nënshkrimet e delegatëve që i ka mbledhur ai, me theks të veçantë te nënshkrimet e FC Prishtinës dhe KF Ulpianës nga Lipjani. Dhe kështu që i vetmi kandidat në zgjedhjet e 6 prillit do të ishte presidenti aktual, Agim Ademi.

Presidenti aktual, Agim Ademi, me 26 mars e kishte shpalosur programin “Bashkë për Futbollin”. Sipas tij, programi ishte përgatitur nga ekipi profesional i FFK-së në bazë të vizionit dhe kërkesave të presidentit Ademi në koordinim të plotë me UEFA-n dhe FIFA-n.

Më 28 mars, Gramoz Vokrri, e kishte paditur në gjykatë FFK-në duke akuzuar se e ka shkelur statutin e vet dhe ligjin për sport me shpallet e zgjedhjeve për president për datën 6 prill, si dhe për rrëzimin e kandidaturës së tij, duke kërkuar që zgjedhjet të pezullohen.

Më datën 4 prill të vitit 2022, Gjykata Themelore në Prishtina e ka hedhur poshtë akuzën e Gramoz Vokrrit duke thënë se zgjedhjet e 6 prillit në FFK janë proces i rregullt.

Ditën e sotme FFK-ja ka njoftuar se Kuvendi Zgjedhor për të parin e FFK-së do të mbahet nga ora 11:00 në selinë e FFK-së. Sipas këtij njoftimi vetëm një transmetues do të lejohet në atë hapësire, por asnjë gazetar.

Për këtë kanë reaguar edhe mediat, por gjithashtu edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke thënë se arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuar.

FFK ka njoftuar se orë më parë dy përfaqësues të UEFA-s dhe dy përfaqësues të FIFA-s kanë arritur në Kosovë, ku ata do marrin pjesë në punimet e Kuvendit të Rregullt Zgjedhor të FFK-së dhe do t’i drejtohen delegatëve të Kuvendit me nga një fjalë rasti.

Të drejt vote për kryetar të FFK-së kanë 59 delegatë që vijnë nga klubet e Superligës, Ligës së Parë, Lidhjeve Rajonale, Shoqata e Gjyqtarëve, trajnerëve, futsallit dhe futbollit të femrave.

Të ngjashme
Sport • 19 Maj 2024