Lajme
Këto janë të gjitha masat që u vendosën në mbledhjen e sotme të Qeverisë
Demokracia
18:06 | 28 Gusht 2021

Share:

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 32-të me radhë gjatë të cilës ka miratuar dy vendime. 

Në vendimin e parë ajo miratoi masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19, të cilat mund t’i gjeni të plota në dokumentin e bashkëngjitur. Qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese, me qëllim të kontrollit dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19, në aktivitetet dhe bizneset të cilat bashkojnë një numër të madh njerëzish në të njëjtin vend, dhe në të cilat ruajta e distancës fizike është e vështirë dhe kështu paraqesin një rrezik në rritje të transmetimit të virusit.

Qeveria po ashtu ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhimin e përkohshëm të 422 (katërqind e njëzet e dy) profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës (mjekë, infermierë dhe laborantë) për menaxhimin e situatës me COVID-19, për tre muaj, me mundësi të vazhdimit edhe për tre muaj tjerë shtesë, në shumë totale deri në 1,332,000 € (një milion e treqind e tridhjetë e dy mijë euro). Me këtë rast, numri total i punëtorëve shtesë shëndetësorë që janë angazhuar që nga qershori i këtij viti arrin në 2000.

Fjalak; e plotë e kryeministrit Kurti në mbledhjen e Qeverisë:

E nderuara zëvendëskryeministre Rexhepi,

Të nderuar ministra dhe zëvendësministra, mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë mbledhje të 32-të, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot më datë 28 gusht 2021,

Të dashur qytetarë,

Masat kundër pandemisë gjithnjë i kemi propozuar dhe i kemi miratuar në raport me situatën epidemiologjike, duke qenë gjithnjë të kujdesshëm që të bëjmë balancimin në mes të shëndetit publik dhe atij ekonomik.

Kur situata epidemiologjike përmirësohej i lironim masat. Kur përkeqësohej ishim të detyruar që t’i shtrëngojmë ato.

Me aprovimin e vaksinës kundër COVID-19 ndryshoi edhe raporti me pandeminë. Nga parandalimi, dalëngadalë e me kujdes u kthyem në kundërsulm nëpërmjet vaksinimit.

Siç e dini vaksinimin sipas prioriteteve e filluam nga fundi i marsit, kurse vaksinimin masiv nga 15 qershori.

Edhe pse e nisëm vaksinimin të fundit në rajon, gjatë muajit gusht, për disa javë ishim vendi me mesataren javore më të lartë të vaksinimit. Në javën e tretë të gushtit u administruan gati 128 mijë vaksina, gjë që shënoi mesataren javore më të lartë prej 10,150 vaksinimeve në 1 milion banorë – më shumë se mesataret më të larta të shënuara nga secili vend i rajonit.

Krahas procesit të vaksinimit dhe në përputhje me situatën epidemiologjike, që shënonte rënie të vazhdueshme të rasteve, liruam masat duke u kujdesur që t’i japim shtytje edhe ekonomisë sonë të brishtë.

Lirimin e masave e shoqëruam me paralajmërimin se një valë përkeqësimi e situatës epidemiologjike me variantin Delta do të jetë e pashmangshme në muajin shtator.

Tani kur situata epidemiologjike sërish u përkeqësua jemi të detyruar që paralelisht me vaksinimin masiv, të marrim edhe masa kufizuese – që sikurse në fillim të qeverisjes sonë, kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejtë të trendit të rritjes dhe pastaj uljen e tij.

Që të parandalojmë përhapjen e virusit te moshat e reja jemi të detyruar që ta shtyjmë fillimin e vitit të ri shkollor. Ruajtja e shëndetit kërkon që ta sakrifikojmë përkohësisht edhe lëvizjen tonë deri në përmirësimin e gjendjes.

Që ta zvogëlojmë qarkullimin e virusit COVID-19 në variantin Delta, duhet ta zvogëlojmë qarkullimin e njerëzve.

Masat që patëm marrë në prill të këtij viti rezultuan të suksesshme. Jemi të bindur se edhe këto masa që do të marrim sot do të jenë të suksesshme në raport me qëllimin e tyre.

Deri me 6 shtator presim që t’na arrijnë edhe 650 mijë vaksina. Kemi rritur kapacitetet, ndërsa po shohim që edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim po shtohet. Dhe kjo na jep shpresë që krahas respektimit të masave do të mund t’ia dalim së bashku ta fitojmë këtë betejë, e gradualisht edhe luftën kundër pandemisë COVID-19.

Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë atyre që virusi vrastar ua mori më të dashurit.

Bashkëndjej me secilin qytetar që sot po kalon pasojat e infektimit. Ju bëj thirrje të gjithëve dhe secilit për kujdes të shtuar, sidomos të rinjve e të rejave, që posa t’u shfaqen simptomat e para të kërkojnë urgjentisht ndihmën e mjekëve, të cilët i falënderoj shumë për angazhimin e palodhshëm në mbrojtje të shëndetit tonë.

Ata që nuk janë të vaksinuar i lus që të vaksinohen sa më shpejtë sepse vaksina është zgjidhja e duhur dhe e vetme për t’u mbrojtur nga virusi.

Të ngjashme