Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot përfaqësuesit e serbëve nga Kosova në Rashkë, me të cilin ka prezantuar masat ekonomike, por edhe propozimin për Qeverinë e Serbisë, i cili ndër të tjera nënkupton se pala serbe do të kërkojë që në veri të Kosovës të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme pas formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Është në dorën tonë që të vazhdojmë të flasim dhe të përpiqemi të bisedojmë në Bruksel dhe të përpiqemi të arrijmë normalizimin e marrëdhënieve. Thjesht kam frikë se dikush nuk do, sepse po të donte, nuk do të dërgonte mesazhet që dërgon”, tha Vuçiq, e më pas shpalosi propozimet e Qeverisë së Serbisë, transmeton Demokracia.com.
Marrëveshja e targave
Vuçiq që në fillim iu referua krizës me targat e vetura dhe kërkoi që “Prishtina të ndalojë shkeljen e marrëveshjes”.
“Kërkohet një reagim urgjent i BE-së dhe organeve të tjera të institucioneve të Prishtinës të ndalojnë menjëherë shkeljen e marrëveshjes për targa dhe të lejojnë lirinë e plotë dhe të papenguar të lëvizjes për serbët që përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Serbisë. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina të veprojë pa vonesë në përputhje me marrëveshjet nga dialogu, por edhe me të gjitha dokumentet tjera relevante ligjore ndërkombëtare”, tha Vuçiq.
Ai më pas ka kërcënuar se në rast se Kosova refuzon një zgjidhje kompromisi, pala serbe do të hakmerret me masa të forta.
“Në këtë kuptim, ekipi negociator serb është i autorizuar të bëjë përpjekje shtesë për të gjetur një zgjidhje kompromisi për këtë çështje. Në rast se e refuzojnë këtë zgjidhje kompromisi, pala serbe do të kundërpërgjigjet me masa të forta dhe adekuate për mbrojtjen e rendit kushtetues. Natyrisht me masa politike”, tha Vuçiq duke paraqitur konkluzionin e parë.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe
Konkluzioni i dytë i referohet formimit të urgjent të Komunave me shumicë serbe.
“Është parakusht absolut për hapat e tjerë në dialog, si dhe parakusht për kthimin e serbëve në institucione dhe aktivitetin e tyre të mëtejshëm politik. Institucionet e Kosovës janë të obliguara të sigurojnë që Asociacioni të formohet ekskluzivisht në përputhje me katër marrëveshjet që janë arritur gjatë dialogut për këtë çështje, që është edhe pjesë e aktit zbatues që është pranuar nga ata në Ohër”, tha Vuçiq.
Tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu
Konkluzioni i tretë i referohet tërheqjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës.
“Forcat policore shqiptare ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës, ku terrorizojnë brutalisht serbët që jetojnë atje. Të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare e dinë mirë këtë. Nga sot do të kërkojmë tërheqjen e këtyre njësive në çdo vend”, ka thënë Vuçiq.
Serbët nuk do të dalin kundër Listës Serbe
Në arsyetimin e konkluzionit të katërt, Vuçiq tha se shteti i Serbisë nuk ka marrë pjesë në marrjen e vendimeve që serbët të mos marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës.
“Shteti i Serbisë nuk ka marrë pjesë në vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por Serbia kurrë nuk do ta lërë në baltë popullin e saj dhe pikërisht për këtë nuk do të shkojë kundër Listës Serbe dhe as kundër të gjithë të tjerëve që kanë bërë vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Ne vetëm duam dhe nga sot do t’i paralajmërojmë të gjithë ata që mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të tilla, false dhe mashtruese, se këto janë shembulli më i keq i zgjedhjeve të tilla. Kjo nuk është e mirë për paqen, stabilitetin apo demokracinë. Do të kërkojmë që zgjedhjet të mbahen pas formimit të Asociacionit”, tha ai.
Ndihma financiare për serbët në Kosovë
Vuçiq, duke arsyetuar konkluzionin e pestë që do t’i dërgohet Qeverisë së Serbisë, ka paralajmëruar ndihmë financiare për komunitetin serb në Kosovë.
“Republika e Serbisë do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore, politike, ekonomike dhe të tjera për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe të drejtave themelore njerëzore dhe politike të serbëve në Kosovë… Kjo, mbi të gjitha, ka të bëjë me progresin e përgjithshëm social dhe ekonomik në komunitetin serb. Do të rrisim masat e mbështetjes financiare për ekonominë, fermerët, të rinjtë dhe kategoritë e cenueshme sociale. Dispozitat e këtij konkluzioni janë të detyrueshme për të gjitha organet dhe funksionarët shtetërorë, si dhe negociatorët në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Vuçiq. /Demokracia.com/