Lajme
Këta janë shoqëruesit e Krasniqit dhe Abdixhikut në SHBA, befason përzgjedhja e kryetarit të LDK-së
Demokracia
18:39 | 17 Nëntor 2022

Share:

Dy drejtuesit kryesorë të opozitës së Kosovës, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, gjenden për vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përderisa ministrave të Qeverisë së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla, nuk u është lejuar vizita në SHBA, dy liderët opozitarë po zhvillojnë takime me zyrtarë të rëndësishëm amerikanë.

Por, kush janë njerëzit me të cilët po shoqërohen në këtë vizitë dy krerët e opozitës?

Memli Krasniqi i PDK-së ka marrë me vete në këtë vizitë ish-ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitakun dhe ish-ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj.

Deri më tani, Krasniqi dhe shoqëruesit e tij kanë takuar zëvendës-ndihmësin e Sekretarit të Shtetit, që është edhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Në pritjen e organizuar në Departamentin Amerikan të Shtetit, para së gjithash, z. Escobar e falënderova për të gjitha etapat e mbështetjes së palëkundur amerikane ndaj vendit tonë. Arritjet tona më të mëdha kombëtare, si çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës, u realizuan edhe falë mbështetjes së parezervë amerikane dhe përmes koordinimit strategjik me SHBA-të. Një tregim suksesi i jashtëzakonshëm, i cili u bë i mundur vetëm falë besimit të dyanshëm, sinqeritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë, që mund ta kenë vetëm dy aleatë të përkushtuar”, ka njoftuar Krasniqi në Facebook.

Ai ka thënë se Escobarit i ka shprehur qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi me SHBA-në për ta është pa alternativë, edhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që na jep në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare, përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.

“Gjatë takimit diskutuam edhe për situatën dhe sfidat aktuale për sigurinë e Kosovës dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse – me njohjen reciproke në qendër. Po ashtu, z. Escobar e sigurova se PDK do ta ofrojë gjithë mbështetjen dhe ndihmën e saj për çdo çështje që prek interesin shtetëror të Kosovës, konform seriozitetit të situatës së re gjeopolitike në Evropë, pas agresionit rus në Ukrainë”, tha Krasniqi.

Ai ka theksuar se Shtëpia e Bardhë është adresa dhe kur aleanca me SHBA-në është rruga, afirmimi dhe suksesi kombëtar e shtetëror i Kosovës është destinacion i pashmangshëm.

Krasniqi po ashtu ka zhvilluar një takim në Institutin Nacional Demokratik (NDI) dhe Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI).

Kurse, pjesë e delegacionit të LDK-së janë Alush Gashi, anëtar i vjetër i LDK-së dhe njëri prej njerëzve më të afërt të ish-Presidentit të Kosovës dhe ish-kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova. Po ashtu, Abdixhiku në këtë vizitë është shoqëruar edhe nga nënkryetari Kujtim Shala dhe kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu.

Ditën e parë të vizitës, delegacioni i LDK-së e ka nisur në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ata u pritën nga Gabriel Escobar, zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Abdixhiku pas këtij takimi ka thënë se LDK-ja është mirënjohëse për ndihmesën historike dhe aktuale të Qeverisë së SHBA-së, të institucioneve të tjera dhe të popullit amerikan për Republikën e Kosovës.

“Së bashku, deri më tani, kemi arritur rezultate historike, mbi të cilat duhet të sigurohet e ardhmja e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera të botës. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë i pandryshuar.

Në këtë drejtim, shtrova kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’. Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka treguar se Escobarit i kanë prezantuar pikëpamjet e LDK-së mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-në dhe me partnerët e tjerë, gjë që sipas Abdixhikut është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat.

“Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane. Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë”, ka thënë ai.

Në ditën e dytë të vizitës së delegacionit të LDK-së ka pasur takime edhe në Senatin e Shteteve të Bashkuara, ku janë pritur nga senatori Christopher Murphy dhe ekipi i tij politik.

Abdixhiku në Kongresin Amerikan u prit edhe nga kongresisti republikan Robert Aderholt dhe nga kongresisti demokrat Dutch Ruppersberger.

Delegacioni i LDK ka pasur sot edhe një vizitë në Pentagon, të cilën e kanë quajtur një ndër pritjet më të rëndësishme të kësaj vizite. /Demokracia.com/

Të ngjashme