Lajme
Këta janë personat e parë në Kosovë, që do ta marrin vaksinën anti-COVID
Demokracia
19:05 | 28 Mars 2021

Share:

Sonte pritet të vijë në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave anti-COVID. Ky kontingjent i vaksinave AstraZeneca kundër COVID-19 është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Sipas komunikatës së dërguar nga Zyra e Kryeministrit, ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15, raporton Demokracia.com.

Kontingjenti i vaksinave anti-COVID, që pritet të vijë në Kosovë, do të ketë 24 mijë doza të vaksinave dhe është pjesë e 100 mijë e 800 dozave të vaksinës AstraZeneca, që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX.

Si do të vaksinohet popullsia?

Sipas planit të pasqyruar në këtë dokument të Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 (PSHV), futja në përdorim e vaksinës kundër COVID19 do te bëhet gjatë tri fazave.

Në fazën e parë do të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësorë, banorët në shtëpitë e pleqve dhe terë punonjësit socialë, grupmosha mbi 80 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.

Numri i përgjithshëm i grupit të synuar në fazën e parë është 54 mijë (ose 3% e popullsisë së përgjithshme të vendit).

Vaksinimi i grupeve te synuara në fazën e parë do të kryhet në nivelin qendror dhe rajonal. Në nivelin qendror, vaksinimi do të administrohet në Qendrën e Zhvillimit te Mjekësisë Familjare (QZHMF) me seli në Prishtinë në kampusin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ekziston hapësirë e mjaftueshme për t’i akomoduar 6 ekipe vaksinimi. Në nivelin rajonal vaksinimi do të kryhet në objektet e Instituteve Rajonale të Shëndetit Publik në gjashtë qytetet më të mëdha. Vaksinimi brenda objekteve ekzistuese të kujdesit shëndetësor ka përparësi sa i përket menaxhimit të rasteve me EPPV, për shkak të afërsisë së këtyre vendeve me njësitë emergjente.

Kohëzgjatja e fazës së parë do të jetë 20 ditë dhe gjatë të gjitha seancave të vaksinimit do të sigurohet zbatimi i të gjitha masave për parandalimin dhe kontrollin e infektimit (IPC).

Në fazën e dytë do të vaksinohet pjesa tjetër e popullsisë prej 17% (306 mijë persona).

Ekzistojnë katër grupe të identifikuara si grupe me prioritet për fazën e dytë, në përputhje me rekomandimet e SAGE të OBSH-së.

Grupet e synuara që do të vaksinohen në fazën e dytë janë: grupmoshat mes 65-79 vjeç, popullsinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19, raporton Demokracia.com.

Gjatë fazës së parë dhe të dytë të futjes në përdorim të vaksinës, Kosova do t’i përdorë vaksinat nga mekanizimi COVAX, AMC i Aleancës Gavi, vaksina të cilat Kosova i merr falas pasi që është njëra ndër vendet e kualifikuara.

Gjatë fazës së tretë të vaksinimit, afërsisht 50% e popullsisë së përgjithshme do të synohen të vaksinohen, që do ta arrijë shkallën e përgjithshme të mbulimit me vaksina COVID-19 deri në 70% të popullsisë së përgjithshme. Qëllimi i qeverisë është rritja e mbulimit gradual të vaksinimit ashtu që ta përfshijë gjithë popullatën.

Grupet e synuara të identifikuara për këtë fazë sipas renditjes në bazë të prioritetit janë: grup mosha 40-64 vjeç – 332 mijë e 925 (18.4%); Popullsia e mbetur me kushte të theksuara shëndetësore 96 mijë e 9 (5.3%); punëtorët e sektorit publik 14 mijë e 853 (0,82%), dhe popullsia e mbetur (grup mosha 17-39 vjeç).

Vaksinimi në fazën e tretë do të organizohet në të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor parësor në 38 komunat e vendit, ku ofrohen shërbimet e rregullta te imunizimit.

Si monitorohet imunizimi?

Për monitorimin e imunizimit, një modul i veçantë për vaksinimin kundër COVID-19 do të integrohet në web aplikacionin e Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH). Në këtë modul, do të futen të dhënat personale të personave që marrin vaksinën. Web aplikacioni është i lidhur me regjistrin civil, i cili lejon nxjerrjen e të dhënave të sakta personale të secilit person (emri, mbiemri, data e lindjes, adresa, etj.) duke e shkruar vetëm numrin personal. Futja e të dhënave për vaksinimin kundër COVID-19 do të kryhet në kohë reale nga profesionistë shëndetësorë në kohën e marrjes së vaksinës.

Përveç regjistrimit dhe monitorimit të digjitalizuar të futjes së të dhënave, një kopje fizike e regjistrit të të dhënave dhe kartelave të vaksinimit do të sigurohet në çdo vend ku kryhet vaksinimi, duke përfshirë protokollet e rregullta që përdoren për Programin e Zgjeruar të Imunizimit (EPI).

Kujtojmë se Kosova është vendi i vetëm në Europë që nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinave, që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19.

Ndërsa deri më sot në Kosovë sipas IKSHPK-së janë regjistruar 87 mijë e 67 raste pozitive nga 410 mijë e 169 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1 mijë e 830 raste të vdekjes, kurse numri i rasteve aktive është 13 mijë e 424./Demokracia.com/

Të ngjashme