Lajme
Këta janë dy deputetët që do ta udhëheqin seancën konstituive të Kuvendit
Demokracia
10:13 | 22 Mars 2021

Share:

Seanca e konstituive e Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet sot me fillim nga ora 10:00, do të udhëhiqet nga deputeti më i ri dhe më i vjetër, të kësaj legjislature.

Bazuar në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, Neni 9 “Kryesimi i mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit” thuhet se

“1. Punimet e mbledhjes konstituivet të legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, i udhëheq deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.

Seanca konstituive pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetri në këtë legjislaturë Avni Dehari, i cili është 73 vjeçar nga Lëvizja Vetëvendosje. Dhe deputetja më e re e kësaj legjislature Adelina Grainca, e cila është 23 vjeçare nga Partia Demokratike e Kosovës.

Profilet e Avni Deharit dhe Adelina Graincës:

Avni Dehari ka lindur më 3 maj 1947, në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, kurse gjimnazin në Preshevë. Më 1974 është diplomuar në Fakultetin e Filologjisë ‒ Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Nga viti 1969 deri më 1981 ka qenë mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Ferizaj, Gjilan dhe në Kumanovë.

Veprimtarit të çështjes kombëtare, Avni Dehari, në vitin 1999 iu ka mundësuar kthimi në vendlindje. Për disa muaj ka redaktuar lajmet në radiostacionin “Kosova e Lirë” në Prishtinë. Nga 2001 deri në vitin 2007 ka punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Çështjeve Jorezidente. Në vitin 2007 ka qenë redaktor i rubrikës së kulturës në të përditshmen “Lajm”. Nga viti 2008 deri në pension, më 2012, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka bërë punën e korrektorit gjuhësor.

Që nga fillimi ka mbështetur aktivitetin e Lëvizjes Vetëvendosje!. Avni Dehari deri më tash ka botuar 33 libra letrarë për fëmijë dhe për të rritur.

Adelina Grainca ka kryer studimet në Rochester Institute of Technology (Universiteti Amerikan në Kosovë) është kandidatja më e re për deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, gjithashtu edhe deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht Grainca është studente në nivelin master për Shkenca në Studime Profesionale me përqendrim në Parashikim Strategjik dhe Inovacion në Rochester Institute of Technology në Kosovë.

Po në të njëjtin universitet, ajo ka përfunduar studimet bachelor për Shkenca dhe Arte të Aplikuara me përqendrim ne Politika Publike, Menaxhment dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Grainca ka një serë trajnimesh në Kosovë, por edhe në jashtë vendit, si në ekonomi, politika sociale dhe marrëdhënie ndërkombëtare./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 31 Maj 2024