Lajme
“Kështu bëhet bashkimi kombëtar”: Shpërthejnë talljet me arrestimin për drogë të asamblistit VV-së në Tiranë
Demokracia
13:16 | 15 Gusht 2023

Share:

Arrestimit i asamblistit të VV-së, Besnik Mujeci, me 11 mijë doza ekstazi në Tiranë, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.

Përveç dënimin të ashpër të veprimit, tashmë ka shpërthyer edhe ironia në rrjetet sociale në lidhje me këtë ngjarje.

Duke kujtuar sloganin e VV-së për bashkimin me Shqipërinë, shumë analistë po ironizojnë me arrestimin e zyrtarit të VV-së në Tiranë, duke thënë se kjo ka lidhje me bashkimin kombëtar.

“Nje asambleist te VV’se ne Komunen e Prishtines e paskan arrestu ne Shqiperi per posedim te 10 mije dozave me droge. Ani de, çka ka lidhje. Nuk e kane kap ne Serbi, po ne Shqipni. As me Radojqiqin. Keshtu bahet bashkimi kombetar, edhe bashk k’tu eshte dallimi me k’ta qe na kane sundu 20 vjet”, ka shkruar në profilin e tij analisti Ilir Mirena.

Edhe analisti Imer Mushkolaj, ka bërë një ironi fantastike në lidhje me arrestimin e asamblistit të VV-së.

Duke komentuar doza ekstazie që kishte Mujeci, Mushkolaj “ka pretenduar”, se në fakt ato ishin vitamina, të cilat e rrisin dozën e patriotizmit për bashkim kombëtar.

“Nuk janë tableta ekstazi, por janë vitamina që e rritin dozën e patriotizmit për bashkim kombëtar”, ka shkruar Mushkolaj.

Me këtë ngjarje është tallur edhe politologu Agon Maliqi.

“Dikush e paska kuptu fjalë për fjalë idenë se bashkimi kombëtar realizohet ‘hap pas hapi’”, ka shkruar Maliqi.

Ndaj ngjarjes nuk kanë heshtur as aktivistët e PSD-së.

Aktivisti i PSD-së, Azdren Shala, me ironinë e tij ka ndërlidhur edhe kryeministrin Kurti me drogën e Mujecit.

“Kontrollone Albinin mos ka marre naj sen prej mallit te Mujecit, se ndryshe nuk shpjegohet qaj shpjegim i tij me qiell, Tetove e Prizren”, ka shkruar Shala në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, gazetari Lirim Mehmetaj ka komentuar postin e ri të Mujecit.

“VV e kish pas emru aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”, ky kish pas qenë t’u e transportu drogën me autobusë për në Tiranë”, ka shkruar Mehmetaj.

Arrestimi i Mujecit

Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, është në mesin e pesë personave të arrestuar nga Policia e Shqipërisë për përfshirje në kotrabandë të drogës. Madje, i një grupi të fuqishëm që shpërndante ekstazi nëpër vendet bregdetare gjatë këtyre kohëve.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Shqipërisë në një komunikatë të gjatë për media, raporton Nacionale.

“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Mujecit dhe të arrestuarëve të tjerë u janë gjetur 11 mijë e 300 tableta ekstazi me peshë 5kg në vlerë 400 mijë euro.

Mujeci është asamblist i partisë në pushtet, Vetëvendosje, në komunën e Prishtinës. Ai ishte zgjedhur asamblist për herën e dytë.

“Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Plani për shpërndarjen e kësaj sasie ekstazie ishte i detajuar. Policia ka bërë të ditur se droga futej nga Kosova në Shqipëri me autobusë, duke shfrytëzuar sezonin turistik.

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025