Lajme
Këshilltari i Qeverisë Kurtit del kundër presidentes Osmani për Zajednicën: Ide jo e mirë, hap jo i duhur
Demokracia
21:01 | 04 Tetor 2023

Share:

Veton Surroi, këshilltari i kryeministrit Kurti, është shfaqur befasisht në Radio Televizionin e Kosovës.

Kjo “shfaqje e befasishme” nuk ishte aq e rrufeshme, pra aq e shkurtë, pasi Surroi dha një intervistë të gjatë në RTK. Më saktë, emisioni ku Surroi foli për dialogun, sulmin terrorist në Banjskë, Vjosa Osmanin, Josep Borrellin, Miroslav Lajçakun, ShBA-në, demokratizimin e Serbisë e shumë tema të tjera, zgjati mbi 1 orë. Por çfarë tha Surroi?

Ndoshta një nga thekset më të rëndësishme të kësaj interviste, ishte deklarimi i Surroit rreth deklaratës së Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës. Më saktësisht, moderatori i RTK-së e pyeti Surroin në lidhje me deklarimin e presidentes Vjosa Osmani për hartimin e statutit të Asociacionit, i cili pastaj do t’i prezantohej sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.

“Nuk mendoj se është është një ide e mirë (propozimi i Osmanit v.j.). Mendoj se hapat që duhet të ndërmarrë Kosova duhet të mos përsërisin këtë përmbysje të prioriteteve, sepse prioriteti i Kosovës nuk është që t’i kthehemi prapë narracionit që dështoi. Banjska mbërriti, sepse të gjitha kushtëzimet ishin që të mos merret asgjë nga marrëevshja, që mos pranohet barazia mes palëve, e Kosovës dhe Serbisë, por që të merret edhe një herë një proces që do të ridefinonte marrëdhëniet e brendshme në Kosovë. Nuk është i nevojshëm redifinimi i marrëdhënieve të brendshme në Kosovë, prioritet është redifinimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë deri te niveli i barazisë” – deklaroi Surroi.

Moderatori i RTK-së insistoi në lidhje me këtë qëndrim të Surroit, duke e pyetur atë nëse deklarata e Osmanit ishte gabim.

“Unë mendoj se nuk ka qenë hap i duhur.” – theksoi i vendosur Surroi.

Ish-shefi i grupit Koha nuk ngurroi të fliste edhe për Donika Gërvallën, ministre e Punëve të Jashtme. Surroi e komentoi deklaratën thellësisht radikale të Gërvallës në lidhje me “vdekjen” e Asociacionit.

“Është deklarim shumë kategorik, nuk besoj se një gjë e tillë ka ndodhur.” – ishte komenti i Surroi për deklaratën e Gërvallës se Asociacioni “ka vdekur”.

Në intervistën e tij, Surroi kishte kritika edhe ndaj Miroslav Lajçakut, i dërguar i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, kriza në Banjskë e ka tejkaluar kapacitetin dhe njohuritë e Lajçakut.

“Kjo krizë e ka tejkaluar kapacitetin dhe njohuritë e zotit Lajçak. Fakti se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes mungesës së nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel dhe marrëveshjes në Ohër, ekziston një lidhje e drejtpërdretjë mes 3 nëntorit të vitit të kaluar, kur kryeministri Kurti bashkë me Bërnabiqin nënshkruajnë tri marrëveshjet e mëparshme të mobilitetit dhe atë ditë policët serbë tërhiqen ose pjesa e administratës serbe tërhiqet nga katër komunat në veri. Ekziston një lidhje kauzale mes të gjitha këtyre veprimeve për të ardhur në Banjskë. Banjska nuk është veprim i jashtëzakonshëm, është kontinuitet i veprimeve që ka pastaj një përfundim logjik.” – deklaroi Surroi.

Tutje, Surroi vlerësoi se BE-ja, përfshirë Borrellin e Lajçakun, në këtë formë të dialogut të lehtësuar nuk mund të sigurojë një marrëveshje përfundimtare. Gjatë intervistën, Surroi e ka kritikuar edhe Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë, të cilin e akuzoi se “me stilin e tij” ka treguar pandjeshmëri ndaj pandjeshmërive në Kosovë.

“Po zoti Rama në stilin e tij nuk ka pasur ndjeshmëri për ndjeshmëritë e këtushme (në Kosovë v.j.)” – deklaroi z. Surroi, teksa e ka kritikuar tutje Ramën për propozimin e draft-statutit për Asociacionin dhe dërgimin e tij në kancelaritë perëndimore.

Të ngjashme