Lajme
Këshilltari i lidhur me aferën e ryshfetit financoi LVV-në
Demokracia
12:54 | 02 Qershor 2022

Share:

Florent Ramqaj, këshilltari financiar i ministrit Liburn Aliu i lidhur me një aferë korruptive të ryshfetit, ka financuar me dy mijë euro fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, 2021.

Ramqaj, një aktivist politik i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte dhuruar dy mijë euro nga xhepi i tij për financimin e fushatës së subjektit politik. Emri i tij figuron në regjistrin e donatorëve të LVV-së për fushatën zgjedhore nacionale të vitit të kaluar.

Pas zgjedhjeve, Ramqaj u shpërblye me një pozitë të lartë politike pranë Ministrisë së Infrastrukturës. U emëruar këshilltar politik i ministrit Liburn Aliu.

Të mërkurën, emri i Florent Ramqajt është ndërlidhur me një aferë korruptive të ryshfetit e cila dëshmohet në një audio-përgjim të publikuar nga Gazeta Nacionale.

Përgjimi dëshmon se si një përfaqësues i kompanisë private të projektimeve ndërtimore, “Infratek”, e cila është në pronësi të dajës së këshilltarit Ramqaj, kërkon ryshfet nga një përfaqësues i një biznesi tjetër privat për dorëzimin e një raporti pranë Ministrisë së Infrastrukturës për punët e kryera për një projekt rrugor.

“Infratek, në pronësi të Halil Jahajt, dajës së Ramqajt, ishte e angazhuar nga Ministria për dorëzimin e raporteve rreth punimeve të kryera në rrugën Gjakovë-Dollc.

Por siç dëshmohet në përgjim, Idriz Shala, një përfaqësues i kompanisë “Infratek”, i kërkon ryshfet një përfaqësuesi të një kompanie private në këmbim të “dritës së gjelbër” për punimet e kryera në projekt.

Në përgjim dyshohet se përmendet edhe emri i Liburn Aliut. “E ka jaran Liburnin”, thotë në një sekuencë përfaqësuesi i Infratek-ut duke e mbështetur kërkesën për ryshfet.

Ramqaj e mohoi se ka ndonjë ndërlidhje me këtë aferë, teksa paralajmëroi padi ndaj mediave.

Përveç kësaj, ai i fshiu të gjitha komentet ku qytetarët e kishin quajtur “hajn” duke i lënë vetëm komentet pozitive. Ndërkohë, i përgjuari Idriz Shala, e mbylli llogarinë e tij në Facebook.

Nga krejt kjo ngjarje, në mbrojtje Ramqajt i dolën zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu bashkë me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Nuk munguan as reagimet prej funksionarëve të tjerë të këtij subjekti politik. /Paparaci.com

Të ngjashme