Lajme
Këshilltari i Kurtit tenton ta mashtrojë publikun, mohon që kryeministri norvegjez shprehu zhgënjimin e tij
Demokracia
20:23 | 29 Mars 2022

Share:

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti e ka bërë edhe një përpjekje të dështuar për të mbuluar “manipulimin” që sot u bë pas takimit të Kurtit me homologun e tij norvegjez, Jonas Gahr Støre.

Qeveria e Kosovës lëshoi një komunikatë, ku u tentua të fshihej çka u bisedua në takimin e Kurtit me homologun e tij norvegjez. Por, për dallim nga Qeveria e Norvegjisë, Qeveria e Kosovës nuk njoftoi për pakënaqësitë që Kurtit ia kishte shprehur homologu i tij norvegjez, shkruan Demokracia.com.

“Në lidhje me takimin e sotëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Kurti me Kryeministrin e Norvegjisë Z. Støre: “Kryeministri Støre u interesua për zgjedhjet e Serbisë me 3 prill me ç’rast Kryeministri Kurti e njoftoi për propozimet konstruktive të qeverisë së Kosovës bazuar në praktikat ndërkombëtare.” Në takim nuk u shpreh askush i zhgënjyer”, ka shkruar Zulfaj.

Megjithatë. ishte edhe një komunikatë e zyrës së kryeministrit norvegjez që tregoi se çka u bisedua dhe e demanton Zulfajn. Në atë komunikatë u tha se Jonas Gahr Støre shprehu zhgënjimin i tij që Kosova s’lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e saj.

“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që ulin besimin mes tyre. Prandaj, shfrytëzova rastin gjatë takimit tonë për të shprehur zhgënjimin tim që Kosova nuk po lejonte që zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizoheshin në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet e mëparshme”, citohet zyrtarisht Støre t’i ketë thënë Kurtit, raporton Demokracia.com.

Diskutimet mes dy kryeministrave u fokusuan në mbështetjen e Norvegjisë për Kosovën dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata gjithashtu diskutuan sesi të forcohet bashkëpunimi në zhvillimin ekonomik dhe social.

“Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish flakën rajonit”, tha kryeministri Støre.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë shprehur po ashtu shqetësimet e veta për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Propozimi i Quint-it ishte që zyrtarët ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për të përcjellë kërkesat e Serbisë tek autoritetet kosovare. /Demokracia.com/

Të ngjashme