Një konferencë e PDK-së ku u publikua dokumenti, teksa kompania e vëllait të këshilltarit të Kurtit, Luan Dalipit, i ka hyrë tregtisë me rrymë, ka shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë.
Dokumenti dëshmonte se kompania MDA ku kishte punuar edhe vet Luan Dalipi, është rrugës për të hyrë në tregtimin e energjisë elektrike.
“Luan Dalipi është themelues dhe njëkohësisht ka qenë pronar i kësaj kompanie. Pra, MDA e shefit të stafit të kryeministrit, që sot drejtohet nga Driton Dalipi, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike”, ka thënë Abelard Tahiri.
Kjo më pas u konfirmua edhe nga dokumentet e tjera publike, teksa kompania në fjalë kishte qenë vend i punës edhe për zv/drejtorin e AKP-së, Burim Leci.
Se vëllai i tij ka aplikuar për të tregtuar energji e ka konfirmuar vet Luan Dalipi, teksa i ka uruar suksese.
“Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. (Lexoni biografinë e shkurtër timen në fund të këtij postimi për ta kuptuar më mirë pse e them këtë.)”, ka shkruar më tutje.
Dalipi, siç bëjnë zakonshëm, ka sulmuar edhe pak mediat që raportuan.
“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem (as nuk ishte për t’u pritur ndryshe). Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë. Portalet që e bënë këtë “Breaking News” ndoshta kanë nevojë për pushim veror… ose një kurs bazik në ekonomi. Kurse për ata që duan të dinë më shumë – lexoni më poshtë”, ka shkruar ai.
Kjo temë, ka shkaktuar reagime të mëdha në publik.
Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së, ka shkruar se këshilltarët e Kurtit, po janë merakli të rrymës.
“Interesant se si disa keshilltare te Albin Kurtit jane marakli te tregtise me rryme elektrike. Interesant se biznesit te tregtise me rryme elektrike i kane hyre vetem pasi qe partia e tyre ka ardh ne pushtet. Interesant se si per kater ose pese vite pushtet, numri i banesave se tyre eshte rritur krahas edhe rritjes se kursimeve dhe financave personale. Nga kerkesa per shtet te se drejtes, ne shtet te keshilltareve dhe klientelizmit. Era shtet i kapur!”, ka shkruar Miftaraj.
Reagoi ashpër edhe gazetari Adriatik Kelmendi.
“O, pak po ia bëni këtij populli, çka e meriton! Vëllau i Albinit diçka i lidhur me shitje të rrymës. Vëllau i shefit të stafit të Albinit me kompani për shitje të rrymës. Ambasadori i Albinit në Kroaci tregtar i rrymës. Besnik Bislimi i Albinit në WhatsApp me Dejonën e Albinit menaxhojnë me rrymën. Këshilltarë të tjerë të Albinit në biznes të rrymës. Kompani të reja “fantome”, si kjo NOA, e regjistruar në kohën e Albinit, me qindra milionë qarkullim me shitblerje të rrymës”, ka shkruar Kelmendi.