Lajme
Këshilltari i Kurtit e pranon se bllokada në Kuvend ia trashë faturën popullit, por jo fajin
Demokracia
16:05 | 19 Maj 2025

Share:

Jeton Zulfaj, këshilltar i Albin Kurtit, thotë se sa më gjatë që vazhdon bllokada në Kuvend, “aq më e gjatë bëhet fatura në popull”, por fajin për këtë, sipas tij, e kanë partitë tjera dhe jo LVV-ja.

Ai shkroi në Facebook se PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja “e kanë marrë peng Kuvendin”.

‘Pas zgjedhjeve, menjëherë thanë se do të bëhemi bashkë që të mos e lejojmë VV-në të bëjë qeverinë. Ani pse gati gjysma e popullit e ka votuar VV-në. Por kur e morën vesh që s’kanë vota për të bërë qeveri “të opozitës”, siç e quanin vetë ata, filluan të bllokojnë konstituimin e Kuvendit. Pra, mentalitetin e kishin bllokues qysh në fillim, ende pa u çertifikuar rezultatet. Njëherë u deklaruan se do të bllokojnë vullnetin e shumicës së popullit për të bërë qeveri, pastaj tentuan t’i bllokojnë listat e verifikimit të deputetëve, tash po bllokojnë votimin për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit. Pra, mentalitet bllokues në çdo hap e në çdo formë”, shkroi ai.

Zulfaj thotë se “tashmë është kuptuar që bllokadën për konstituimin e Kuvendit nuk e kanë për ndonjë parim, sepse s’kanë shfaqur asnjë qëndrim parimor”.

“E kanë thjesht për kalkulime politike. Mbase dikush nga ata “ekspertët e PR-it” u ka thënë që, duke vonuar e bllokuar themelimin e institucioneve, u rriten votat. Këta mbase besojnë që bllokadën e tyre populli e merr si qëndrim parimor, por populli e di që atyre askush s’po ua kërkon votat për qeverinë”, shkroi ai.

Sipas këshilltarit të Kurtit, deputetët e partive të tjera do të duhej ta votonin propozimin e LVV-së për kryeparlamentare.

“Deputëve po u kërkohet vota për të nisur punën institucioni që e përfaqëson popullin. Po ta kishin hallin e popullit, nuk do ta bllokonin institucionin ku përfaqësohet populli. Por sa më gjatë që bllokojnë, aq më e gjatë bëhet fatura në popull”, shkroi Zulfaj.

Të ngjashme