Lajme
Këshilltari i ish-kryeministrit Hoti: Franca hezitoi për vizat shkaku i çështjeve të brendshme
Demokracia
12:33 | 24 Qershor 2022

Share:

Valon Murtezaj, këshilltari i ish-kryeministrit Avdullah Hoti, ka thënë se dy vjet më parë presidenti francez, Emmanuel Macron, ia kishte bërë të qartë Qeverisë së Kosovës se Ministria e Brendshme e Francës ka kundërshtuar liberalizimin e vizave.

Murtezaj, në një deklarim në emisionin Politiko të enjten në mbrëmje, tha se kishte qenë personalisht prezent në takimin mes ish-kryeministrit Hoti dhe presidentit Macron në Paris dy vjet më parë.

Aty ishte diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Franca ka qenë hezitante për çështjen e vizave, por jo vetëm ajo ka qenë hezitante. Edhe kryeministri holandez tha sot se Kosova ka bërë përparime për kriteret e saj, por akoma jo të gjitha”, tha Murtezaj. “Kur kemi qenë në takim tek kryeministri Macron me kryeministrin Hoti para dy vitesh, më 2020, ai na ka thënë se nuk është vetëm ai por edhe disa shtete të tjera hezitante për vizat.”

Murtezaj, tregoi se Ministria e Punëve të Brendshme të Francës ishte hezituese në raport me dhënien e dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ministria e Jashtme e Francës, p.sh., mund të jetë në rregull, por Ministria e Brendshme mund të mos jetë. Me Francën, viteve të fundit e di që ka pasur disa takime, por nuk ka shumë transparencë nga ana e qeverisë. Nuk e di se çfarë është biseduar”, deklaroi ai, transmeton Paparaci.

Sipas Murtezajt, kriteret teknike janë shumë të rëndësishme.

“Kam qenë edhe personalisht në takim me presidentin Macron para dy vitesh, mirëpo droja kryesore e Francës ka qenë përvoja që ka pasur Franca me shtetas nga vendet të cilave u janë liberalizuar vizat. Franca, deri para 2-3 vitesh e ka pasur një proces shumë të gjatë për riatdhesimin e atyre që kanë kërkuar azil dhe këtu asokohe kryeministri Hoti kishte bërë një gjest të mirë dhe janë marrë vesh me kryeministrin Macron që çdo problem që kishin ngritur francezët, të adresohej mes dy vendeve. Shpeshherë ka ndodhë që ministritë e jashtme të shteteve kanë thënë ‘po’ për vizat, por ministritë e brendshme thonë ‘jo’. Në këto raste, është detyrë e jona që të shkojmë direkt në bisedime me ministritë e brendshme”, tha Mutezaj.

Të ngjashme