Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili para disa ditësh akuzoi zëdhënësin e BE-së, Peter Stano se ka njohuri minimale për negociatat Kosovë-Serbi, tash ka bërë një reagim tjetër duke thënë se ndërmjetësuesit evropianë po refuzojnë të dënojnë Serbinë për shkeljet e marrëveshjes.
Kadiu përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se edhe Parlamenti Evropian bëri thirrje që Serbia ta heqë veton bllokuese që ndalon Kosovën të anëtarësohet në KiE e organizata të tjera.
“Ndërkohë zëdhënësi i BE-së, na thotë se “po mbajmë shënime”. Pse po heziton BE-ja ta dënojë Serbinë kur ekzistojnë fakte të pakontestueshme? Pse Parlamenti Evropian po dënon Serbinë për shkelje të marrëveshjes, e Borrell, Lajçak po refuzojnë ta bëjnë këtë?” – ka shkruar ai mes tjerash.
Ndërkohë, para disa ditësh zëdhënësi Stano deklaroi se ekipi menaxhues nuk ishte pjesë e asnjë prej delegacioneve – pra as atij serb, as atij kosovar.