Gjatë kohës sa po deklarohej aktivistja Natasha Kandiq, përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve në formë proteste kanë lëshuar sallën ku po mbahet tryeza “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur?”, e organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut.
“Kur flasim për vitin 1998 deri më qershor 99, kemi 1080 të zhdukur shqiptarë. Ky është rezultati që kanë qenë të zënë, pastaj ata që janë të vrarë. Por nuk kemi mbetje të tyre dhe kanë humbur çdo gjurmë të tyre. Ajo çfarë ka ndodhur pas qershorit, kemi që janë zhdukur 327 serbë, romë, boshnjakë, goranë dhe që janë zhdukur 38 shqiptarë. Krejt këto të dhëna tregojnë se sa në fakt viti 1998 ka qenë i tmerrshëm. Përmbi 950 varreza masive janë gjetur, kjo do të thotë që kemi të bëjmë me krime masive”, ka thënë ajo.
Largimi i përfaqësuesve të shoqatave të të pagjeturve është kritikuar nga gazetari kosovar që jeton dhe vepron në Zvicër, Enver Robelli. Ai përmes një postimi në Facebook këtë formë proteste e quajt turp dhe tmerr, shkruan Demokracia.com.
Në postimin e Robellit ka reaguar edhe Fatmir Curri, këshilltar i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi.
“Keq shumë keq. Për më tepër është gjuhë zyrtare, ka mujt vet kryetarja e Komisionit me fol serbisht”, ka shkruar Curri.
Nga ajo që ka shkruar Curri lë të nënkuptohet se familjarët e të pagjeturve janë larguar nga tryeza pasi që Kandiq ka folur në gjuhën serbe!
Këtë e thotë edhe Robelli në postimin e tij.
“TURP DHE TMERR! Me e lëshu mbledhjen për shkak se po flet Natasha Kandiqi është marrëzi kolosale. Nuk ka aktiviste në Ballkan që ka bërë më shumë për ndriçimin e krimeve të luftës të regjimit serb. Nuk ka aktiviste në Ballkan që e ka kundërshtuar dhe e kundërshton më shumë ultranacionalizmin e pushtetit në Beograd. Madje duke rrezikuar edhe jetën e saj. Kur më 2008 u shpall pavarësia e Kosovës, Natasha Kandiqi ishte në Kuvendin e Kosovës. Gjesti i familjarëve të të pagjeturve është i turpshëm. Dhe i tmerrshëm. Dhe është e pabesueshme me e lëshu mbledhjen vetëm se dikush flet serbisht”, ka shkruar Robelli.
Gjatë këtij takimi, Kandiq ndër tjerash ka thënë se është e rëndësishme që të ketë një komision të ekspertëve, me qëllim të zbardhjes së personave të zhdukur.
“Ka shumë raste individuale të zhdukjes së mbetjeve mortore. Kjo nuk është e thjeshtë që tregon se duhet të bëjmë hulumtimin për secilën viktimë një nga një. Gjykatat deri më tani nuk janë marrë me personat e zhdukur. Sipas njohurive të mia është vetëm me një rast dhe nuk është rast nga Kosova”, shtoi ajo.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se ende ka numër të madh të personave, për të cilët nuk dihet fati i tyre.
“Është e rëndësishme të dihet se çfarë ka ndodhur me ta, por në të njëjtën kohë se çfarë kanë bërë familjarët gjatë gjithë kësaj kohe. Si Kuvend, duhet ta luajmë një rol me aktiv në këtë çështje. Jo vetëm për të kontribuar Qeverinë dhe mekanizmat e tjerë, por çfarë mund të bëjmë specifikisht në këtë drejtim”, ka thënë ajo. /Demokracia.com/