Lajme
Këshilli Prokurorial i reagon Kurtit: Përmbahuni në deklarata, kryeprokurorin e caktojmë ne
Demokracia
14:05 | 05 Shkurt 2021

Share:

Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka reaguar kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, pas deklaratave të tij lidhur me Kryeprokurorin e Shtetit, duke përmendur edhe shkarkimin e nga organet kompetente.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, KPK-ja i ka bërë thirrje Kurtit dhe kandidatëve të tjerë që të jenë të përmbajtur në deklaratat e tyre dhe të mos përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit, përcjell Demokracia.com.

KPK-ja u ka kujtuar kandidatëve se kryeprokurori zgjidhet dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Prokurorial.

“Më këtë rast, theksojmë se sistemi prokurorial me mbështetje të fuqishme edhe të partnerëve ndërkombëtarë është duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e mekanizmave të brendshëm në fuqizim të llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit, si dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kandidati për Kryeminstër nga LVV, Albin Kurti mbrëmë në ‘’Debat Përnime’’ ka thënë se nën sistemin e drejtësisë do të shkojë “kryeprokurori i shtetit”, duke aluduar në shkarkimin e tij nga organet kompetente, përcjell Demokracia.com

Kurti vazhdoi duke thënë se “nuk do të shkojë vetëm Lumezi, por edhe shumë të tjerë”.

“Ne nuk jemi në qeveri edhe ne ishim 50 ditë në kohë të pandemisë. Tash po vimë për 4 plus 4 vjet. Dhe jo vec Lumezi, por kanë me shku plot. Dhe s’ka me u kthy vec Elezi, por kanë me u kthy plot të tjerë”, është shprehur Kurti në RTV Dukagjin.

Tutje, Kurti tha se me qeverinë e tij do të ketë më shumë punë për Prokurorinë e shtetit.

“Me neve do të ketë shumë më shumë punë për prokurorinë, ju e dini që janë afër 200 prokurorë në Kosovë dhe ata o do të ribëhen siç e kanë emrin, pra të aktivizohen ose nuk mendoj se do t’i mbijetojnë trysnisë shoqërore, qytetare e institucionale”, ka thënë Kurti./Demokracia.com

Të ngjashme