Lajme
Këshilli Prokurorial e cilëson të drejtë rrëzimin e Ligjit, kritikon ministren Haxhiu
Demokracia
19:20 | 25 Mars 2023

Share:

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka cilësuar të drejtë rrëzimin e Ligjin të Këshillit Prokurorial nga Gjykata Kushtetuese, duke thënë se shpallja e këtij ligji kundërkushtetues i vërteton qëndrimet dhe shqetësimet e shprehura publikisht të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky ligj të mos miratohej si i tillë.

KPK-ja ka thënë se kjo gjykatë e ka afirmuar të drejtën kushtetuese për mosinterferim politik.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me ketë çështje, së pari, duke marrë vendim që të rrëzohet komplet Ligji për Këshillin Prokurorial dhe, së dyti, duke parandaluar cenimin e pavarësisë së KPK-së dhe ligjësimin e ndikimeve politike në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës. KPK-ja pohon se Gjykata Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me nxjerrjen e këtij vendimi të drejtë, afirmon njëherë e mirë të drejtën kushtetuese për mosinterferim politik, i cili cenon thelbësisht pavarësinë e prokurorëve të shtetit dhe përgjithësisht pavarësinë e sistemit prokurorial”, thuhet në njoftim.

Në reagimin e këtij këshilli më tej është kritikuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka quajtur të padrejtë këtë vendim të Kushtetueses“KPK-ja, deklaron se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është keqpërdorur sërish fjala e lirë, keqpërdorim ky, i cili është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike dhe aq më tepër kur ai vjen nga zyrtarët më të lartë të shtetit. Edhe sot u dëgjuan deklarime të tilla nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, të cilat përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet aq të theksuar saqë shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, duke pohuar se “më e rëndësishmja për të është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së” dhe përtej saj, një zyrtare e lartë e Qeverisë, për çudi, nuk pajtohet me vendimin e një institucioni më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese”, është thënë në komunikatën e KPK-së.

Të ngjashme