Lajme
Këshilli i Prindërve të Kosovës reagon ndaj Nagavcit për shpalljen e zgjedhjeve: Tentim i pastër për diktat
Demokracia
11:27 | 18 Qershor 2023

Share:

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj ministres së Arsimit, Arbëri Nagavci për shpalljen e zgjedhjeve për Këshillin e Prindërve në gjithë Kosovën. Sipas tyre, ajo po tenton që të zgjedh me diktat.

Në reagimin e Këshillit të Prindërve thuhet se Nagavci ka urdhëruar që zgjedhjet të mbahen një vit pasi është zgjedhur kryesia e re, e që mandati i tyre është katërvjeçar.

Këshilli i Prindërve dyshon që Nagavci ka rishpallur zgjedhjet për shkak të pakënaqësive që ka ndaj qëndrimeve të këtij këshilli.

“Por përse znj. Nagavci i rishpalli zgjedhjet, – kuptueshëm shtrohet pyetja? Arsyeja kryesore është pakënaqësia e znj. Nagavci me qëndrimet e KP Kosovë ndaj, sidomos, kundërshtimit të mbajtjes së mësimit të shtunave. Dhe, që të hakmerret ndaj dështimit të zëvendësimit të orëve të shtunave, që po ashtu ishte një urdhërim i pabazë, antiligjor e i padrejtë, Ministrja Nagavci ka shpikur ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Këshillin e Prindërve. Sipas urdhërit të saj, meqë ka ndryshuar Udhëzimi duhet të ribëhen zgjedhjet. Por gjithkush, që merr vesh nga legjislacioni, e di që asnjë rregull nuk ka efekt prapaveprues. Pra ai justifikim është absurd. Për më shumë, Ministrja ka urdhëruar zgjedhje në muajin qershor, diçka që asnjëherë nuk ka ndodhur e nuk duhet të ndodhë.” – thuhet në reagimin e tyre.

Ata thonë se zgjedhjet janë shpallur pa bazë ligjore.

“Këto vetëm zgjedhje nuk mund të quhen. Ky është një tentim i pastër për diktat nga Ministrja Nagavci, me një Udhëzim të shkruar siç do e me kë do vetë. Andaj, këto zgjedhje të paligjshme, të paarsyeshme, të padrejta e në kushte diktati në këshillin e prindërve duhen refuzuar plotësisht: në çdo shkollë, në çdo komunë dhe ato në nivel të Kosovës.” – thuhet ndër të tjera.

Të ngjashme