Lajme
Këshilli Drejtues mund ta shkarkojë të premten, Rektori Sahiti i godet: Aty ka një anëtar plagjiator
Demokracia
15:32 | 20 Tetor 2022

Share:

Të premten Këshilli Drejtues i UP-së është e paraparë që të marrë vendim për shkarkimin e rektorit të UP-së, Naser Sahiti. Kështu tha në një konferencë për media vetë rektori Sahiti.

Sahiti tha se nuk do të marrë pjesë në këtë mbledhje pasi e konsideron si të jashtëligjshme.

“Nesër në Këshillin Drejtues është paraparë raportimi i menaxhmenti të lartë, ajo mbledhje është caktuar në kundërshtim me statutin. Ky rend i ditës nuk është dakorduar me ne, si e tillë kjo është jo ligjore. Ata e kanë kërkuar mbajtjen e rendin e ditës që len me kuptu që mund të jetë edhe marrja e vendimit për shkarkimin tim”, ka thënë Sahiti.

Sahiti tha se që në zgjedhjet e mbajtura në qershor për Këshillin Drejtues të UP-së është zgjedhur një kandidat, i cili ka plagjiaturë.

“Çështja e parë është me këshillin drejtues, si rezultat i atyre zgjedhjeve të Këshillit Drejtues është zgjidhur një kandidat që ka plagjiatë në punimin e tij të doktoratës. Ka qenë edhe një prononcim i ministres për këtë çështje ku ajo ka thënë se do të kërkoj nga Këshilli Drejtues qe këtë rast ta denoncoj në Këshill të Etikës, përkundër atij zotimi anëtarët nuk e kanë denoncuar rastin në Këshill të Etikës me arsyen se nuk kemi fakte”.

Ai ka shtuar se ORCA ka ofruar fakte të mjaftueshme për këtë.

“ORCA ka ofruar fakte të mjaftueshme edhe kanë kërkuar nga këshilli drejtues që të procedojnë më tutje, por ata kanë thënë që këtë çështje ta procedon ORCA. Pasi bëhet fjalë për një pozitë shumë të lartë, bëhet fjalë për Selim Bezerin. E kam parë të arsyeshme që unë ta marrë në dorë ta denoncoj rastin dhe rasti është në Këshill të Etikës me dëshmitë e nevojshme që doktorata është plagjiaturë”, tha ai.

Të ngjashme