Ka kohë që pushteti aktual nuk ka marrëdhënie të mira me median. Jo rrallëherë ka pasur sulme ndaj punës që bëjnë mediat në Kosovë.
I fundit sulm ndaj medies, erdhi sot gjatë ditës nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli. Ajo kërkoi masa nga Kuvendi ndaj mediave.
Pacolli hodhi dyshime për financimin e kompanive mediale. Duke u thirrur në një raport të Parlamentit Evropian për Kosovën, Pacollin e preokuponte investimet e shumta në media, shkruan Nacionale.
Çfarë tha Pacolli e VV-së?
Deputetja e VV-së tha se mediat po përdoren për shantazh politik.
“Një gjë shqetësuese që është përmendur në rezolutën e fundit dhe që nuk është përmendur viteve të mëparshme është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik”, ka thënë.
Duke mos e kuptuar aspak mënyrën se si funksionojnë mediet, Pacolli i ka kërkuar Qeverisë e Kuvendit të ndërmarrë hetime për të kuptuar se çfarë po ngjan në këtë sektor.
“Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, me transparencën dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, u shpreh deputetja Pacolli.
Natyrisht, për këto deklarata të papërgjegjshme të Pacollit, pati shumë reagime gjatë ditës.
“Tomahawk-at” e pushtetit ndaj medies
Por, mediat kanë qenë cak i pushtetit që një kohë të gjatë. Herë nga Qeveria, e herë nga Presidenca, sulmet nuk janë ndalur gati në vazhdimësi.
Ajo çfarë bie në sy është një tendencë e pushtetit për të “krimenalizuar” punën e medies.
Madje, televizionet e gazetat online, pushtetit i ngjasojnë me kompanitë të kriminilazuara.
Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, me anë të një shkrimi në profilin e tij, kishte theksuar se atij i ngjajnë mediet me kompani të kriminalizuara.
“Nuk është gjë e re përdorimi i ndonjë mediumi për të shantazhuar qeverinë. Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjeshtë për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së ‘lajmeve’ të tyre”, shkruante Dalipi.
Po kaq i ashpër ndaj medies ishte edhe Prindon Sadriu, zotëriu i parë/diplomati/rezervisti i FSK-së.
Ai i kishte cilësuar mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, shkruante Sadriu.
Pushteti pati tendencë të luaj edhe rolin e redaktorit të medies. Më konkretisht, Xhelal Sveçla, ministër i Brendshëm, e quajti “budallallëk” pyetjen e gazetares gjatë një konference për media.
E policia, që janë nën urdhrat e Sveçlës, e vizitoi “Insajderin” pasi ata raportuan për një kontratë të fshehur të Ministrisë së Shëndetësisë për furnizimin me vaksina kundër Covid-19.
Raporti i DASH-it me kritika ndaj Qeverisë
Në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan pati shumë kritika ndaj klimës së të bërit gazetari në Kosovë.
Sipas DASH-it, gazetarët hasin në vështirësi për të marrë informacione nga Qeveria.
“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga Ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhet mes tjerash në raport.
Në raport janë përmendur çështjet të rëndësishme të cilat cenojnë gazetarët, duke përfshirë kufizimet serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, dhunën dhe kërcënimet për dhunë ndaj gazetarëve.
DASH-i theksonte se disa “disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias”.