Lajme
Kërkohet zarfimi i faturave, AIP paralajmëron gjoba për kompanitë që shpërndajnë faturat të hapura
Demokracia
15:58 | 15 Qershor 2024

Share:

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar prej kompanive publike qendrore dhe lokale mbrojtjen e të dhënave personale nëpërmjet shpërndarjes së faturave.

Kjo agjenci ka paralajmëruar shqiptim të gjobave për kompanitë që ofrojnë shërbime, nëse vazhdojnë të shpërndajnë fatura me të dhanë të hapura.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, AIP-ja ka vlerësuar së përveç zbulimit të dhënave personale, sistemi aktual i faturave po cenon sigurinë e qytetarëve.

Ka një javë që gazeta Nacionale iu ka dërguar pyetje disa kompanive për të parë nëse kanë ndërmarr diçka në këtë drejtim, por kompanitë në fjalë ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Afati i fundit është që këto kompani duhet t`i zafojnë faturat e shpërndara është 30 qershori.

Konform obligimeve ligjore të përcaktuara në Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi në kuadër të informimit dhe ndërgjegjësimit të institucioneve publike, për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, ka kërkuar nga kompanitë publike, mbrojtjen e të dhënave personale nëpërmjet shpërndarjes së faturave. Kompanitë publike janë të obliguara që të ndërmarrin veprimet për mbrojtjen e te dhënave personale të qytetarëve deri më 30 Qershor të këtij viti. AIP do të ndërmarrë veprime siç është përcaktuar me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen të Dhënave Personale”, është thënë në një përgjigje me shkrim të AIP-së.

Agjencia në fjalë ka kërkuar prej kompanive që të marrin masat e duhur në procesin e shpërndarjes se faturave.

Konsumi mujor i paraqitur në faturë, sipas agjencisë, zbulon të dhëna që mund të rrezikojnë sigurinë fizike të konsumatorëve.

Për të siguruar zbatimin e ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen të Dhënave Personale, Agjencia ka kërkuar që institucionet të ndërmarrin masat e duhura të sigurisë me rastin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët (shpërndarjes së faturave) dhe të vendosin masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rreziqeve të mundshme të keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve. Konsumi mujor i paraqitur në faturë, indirekt mundëson, zbulimin e të dhënave financiare të familjes, identifikimin e shtëpive të pabanuara në periudha të caktuara etj, që për pasojë, zbulimi indirekt i këtyre informacioneve, potencialisht rrezikon sigurinë fizike të individit dhe pronës së tyre”, ka vlerësuar AIP.

Ndër të tjera, agjencia ka treguar se me kohë i ka njoftuar kompanitë për masat që mund të merren pas 30 qershorit.

Nëse nuk e përmbushin një obligim të tillë, kompanitë publike rrezikojnë të marrin dënime të ashpra nga agjencia.

Kërkesa (Shkresa) e Agjencisë është adresuar te ndërmarrjet publike qendrore dhe lokale më 28 shkurt 2024, dhe është bërë pas takimeve informuese të realizuara me Kryeshefat Ekzekutiv dhe Kryesuesit e Bordeve të institucioneve. Për të plotësuar kërkesën ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, konform Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga Kompanitë Publike që të ndërmarrin veprime deri 30 Qershor 2024”, ka vlerësuar AIP, duke shtuar se presin që kompanitë të përmbushin këtë obligim.

Agjencia është në pritje të ndërmarrjes të veprimeve nga ana e Kompanive me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së dhënave personale të qytetarëve të Kosovës. Gjithësi Agjencia vlerëson se implementimi i politikave të mbrojtjes së të dhënave dhe zbatimi i tyre i kujdesshëm në të gjithë procesin e faturimit nga na a e kompanive jo vetëm që garanton përputhshmërinë me ligjin, por edhe ndihmon në ndërtimin e besimit të klientëve në praktikat e kompanisë për mbrojtjen e privatësisë”, ka vlerësuar agjencia.

Kompanitë heshtin përballë kërkesës

Kompanitë publike qendrore dhe lokale ende nuk kanë treguar se kanë ndërmarr ndonjë veprim në këtë drejti.

Agjencia ka treguar për gazetën se institucionet në të cilat është dërguar kërkesa e agjencisë për ndërmarrjen e masave të përshtatshme për sigurinë e të dhënave personale janë: Kompania për Distribuim me Energji Elektrike “KEDS” sh.a, në Kosovë, Ndërmarrja Publike “Termokos” sh.a, në Prishtinë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ’”Prishtina” sh.a, në Prishtinë, Kompania Regjionale e Ujësjellësit “KRU Hidroregjioni Jugor” sh.a, në Prizren, Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” sh.a, në Ferizaj, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” sh.a, në Pejë, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” sh.a, në Prishtinë, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ekoregjioni” sh.a, në Prizren, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ecohigjiena”, në Gjilan, Kompania Rajonale e Mbeturinave N.P.L “Higjiena”, në Deçan, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Uniteti”, në Mitrovicë, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati”, në Gjakovë, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastertia”, në Ferizaj, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti”, në Pejë, Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidromorava” sh.a, në Gjilan dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, në Mitrovicë.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim për këtë cështje nga KEDS, Termokos dhe KRKU Prishtina, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Asnjëra nga këtyre kompanive nuk ka treguar nëse kanë marrë ndonjë masë konform kërkesës se Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Të ngjashme