Lajme
Kërkohet shkarkimi i logopedit që dyshohet se keqtrajtoi 3-vjeçaren me autizëm
Demokracia
14:04 | 31 Janar 2023

Share:

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) ka kërkuar shkarkimin e logopedit Iljasa Fazliu nga Klinika e Otorinolaringologjisë. Fazliu, i cili dyshohet se në klinikën e tij private e keqtrajtoi një 3-vjeçare me autizëm, është rikthyer në punë gjatë janarit, pasi ishte suspenduar nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale: “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

QIPS-i i është drejtuar me ankesë ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (SHSKUK), Narqize Hoxhaj-Arenliu, në të cilën ka kërkuar shkarkimin e Fazliut dhe hetimin e komisionit disiplinor që është marrë me rastin e tij.

“Me anë të kësaj ankese është njoftuar gjithashtu Inspektorati Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë. Ne presim gjatë kësaj jave një përgjigje ndaj ankesës tonë, e cila duhet të rezultojë në shkarkimin e menjëhershëm të Iljasa Fazliut pasi që ai paraqet rrezik për shëndetin publik”, thuhet në njoftimin e QIPS-it.

Sipas tyre vendime të cilat normalizojnë dhunën dhe amnistojnë abuzuesit në institucione publike nuk duhet të pranohen dhe se rrjedhimisht çdo përgjigje e cila nuk rezulton në shkarkimin e Iljasa Fazliut është e pa pranueshme.

“Ne shpresojmë se ankesa do të adresohet së shpejti. Në rast se SHSKUK dështon në përgjegjësinë e saj për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, ne do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkimin e Iljasa Fazliut në forma tjera”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme