Barazia
Kërkohet përfshirja e grave në procese vendimmarrëse
Demokracia
13:06 | 16 Nëntor 2021

Share:

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë diskutuar për rëndësinë e përfshirjes së grave në proceset e vendimmarrjes, në veçanti ato që kanë të bëjnë me sigurinë dhe paqen. Në konferencën “Roli i grave në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë” e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Un Woman, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se pa pjesëmarrje të plotë e të barabartë të grave nuk mund të garantohen paqe dhe siguri e qëndrueshme.

E para e shtetit ka thënë se vajzat dhe grat janë bosht i rëndësishëm për krijimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të shoqërisë por ka pranuar se ato ballafaqohen me probleme të shumta diskriminimi.

“Sot gruaja në Kosovë ende përballet me sfida të shumta nga krijimi i mundësive të pjesëmarrjes deri të përfaqësimi aktiv i tyre në vendimmarrje, e kjo sfidë e tyre përbën sfidë për të gjithë shoqërinë tonë”, ka thënë presidentja e vendit.

Osmani ka thënë se po bëhet gjithnjë më e nevojshme që Kosova të forcojë angazhimin drejt zbatimit të plotë të rezolutës 1325.

“Si president e vendit duka të ju siguroj se do të vazhdoj të përkrah çdo iniciativë e çdo përpjekje që ka për synim fuqizimin e mëtejmë të gruas në shoqëri në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen e saj në vendimmarrje politike dhe në institucionet e sigurisë, si dhe dhënien e një roli më të fuqishëm në çdo fushë tjetër duke siguruar rritjen e pranisë së tyre në aktivitetet publike…Shumë shpejtë do të kem kënaqësinë që të ju ftoj dhe të ju takoj në Samitin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që vitin tjetër do të organizohet për herën e parë në Kosovë dhe do të përfshijë mysafir jo vetëm nga Kosova por nga mbarë bota”, ka thënë Osmani.

Komandantja supreme ka theksuar nevojën që në Forcën e Sigurisë së Kosovës të rritet numri i grave duke theksuar se numri vazhdon të jetë i vogël me vetëm 8% të përfaqësimit.

E ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj ka thënë se historikisht në Kosovë gratë kanë qenë bosht i pathyeshëm.

“Besoj që diskutimet e kësaj konference do të jenë pikëkthyese por edhe rrugë përpara që ne së bashku të forcojmë më tej rolin e grave në sektorin e sigurisë gjithëpërfshirës”, ka thënë ministri i Mbrojtjes.

E koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson la thënë se

“Ne e dimë që gratë janë shumë pak të përfaqësuara në negociatat për paqe dhe siguri. Ne e dimë që çdo aspekt i sigurisë funksionon më mirë kur të gjithë marrin pjesë, ekonomitë rriten, arsimimi, shëndetësia përmirësohen, cilësia përmirësohet, jo stabiliteti politik dhe ekstremizmi ulen, kjo nënkupton që gjithashtu që kur gratë janë të angazhuara plotësisht në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë ne shohim rezultate më të qëndrueshme më pak konflikte, dhe marrëveshje të paqes që zgjatin më shumë”, ka thënë Richardson.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përmendur dhunimin e grave nga regjimi serb, i ndodhur gjatë luftës në Kosovë, për çka ende nuk janë dënuar kryesit e atyre veprave.

“Një vit para se kjo rezolutë të publikohej dhe të ftonte shtetet anëtare për zotim ndaj saj ne u çliruam nga regjimi gjenocidal serb, ai regjim nuk përfilli as moshë as gjini me qëllim të përmbushjeve të planeve të saj. Serbia, për të gjithë dënim material e shpirtëror që i shkaktoi popullit të Kosovës deri më tash, as nuk ka kërkuar falje as nuk i ka dënuar dorasit e veprave. Sot enden të lirë kriminelët që dhunimin, më së shumti ndaj vajzave dhe grave e përdorën si mjet lufte. Angazhimi dhe puna e vajzave dhe grave si dhe shumë organizatave për kërkimin e drejtësisë nuk është ndalur dhe duhet të ndalet derisa të ketë ballafaqim me drejtësinë”, ka thënë ministri i Brendshëm.

Konferenca “Roli i grave në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë” është mbajtur në shënimin e përvjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Të ngjashme