Lajme
Kërkohet paraburgim për të dyshuarin për vjedhje çokollatash dhe përdorim të thikës
Demokracia
23:30 | 26 Prill 2025

Share:

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për qytetarin serb, N.T., i dyshuar për vjedhje të çokollatës “Nutella” dhe përdorim të thikës gjatë tentativës për arratisje.

Sipas kërkesës së prokurorit Paulin Pashku, ngjarja ka ndodhur më 24 prill 2025, rreth orës 13:42, në marketin “Kam” në Prishtinë. I dyshuari ka marrë çokollata “Nutella” në vlerë mbi 20 euro dhe është larguar pa paguar.

Prokuroria e ngarkon N.T.-në me veprën penale “Vjedhje”, sipas nenit 313, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Por incidenti nuk mbaroi me kaq. Në rrugën “Marin Barleti”, pasi ishte ndjekur nga dy qytetarë, E.A. dhe R.G., i dyshuari dyshohet se ka përdorur thikën për t’i frikësuar, duke iu thënë dëshmitarëve “lirona rrugë” përderisa ka mbajtur thikën në dorë.

Për këtë veprim, Prokuroria po e ngarkon N.T.-në edhe me veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”, bazuar në nenin 163 të KPRK-së.

Seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit është mbajtur para gjyqtarit të procedurës paraprake, Adnan Kamberi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Betimi për Drejtësi” do të raportojë për vendimin që pritet të merret lidhur me këtë kërkesë./Betimi për Drejtësi/

Të ngjashme