Lajme
Kërkohet paraburgim për mjekun që dyshohet se keqtrajtoi një fëmijë me autizëm
Demokracia
15:36 | 27 Nëntor 2022

Share:

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan për të caktuar paraburgim për të dyshuarin që dyshohet se ka kryer veprën trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

Një rast i rëndë raportohet të ketë ndodhur në një klinikë private në Gjilan, ku një mjek defektolog i Logopedisë, dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj një fëmije me autizëm.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ai është arrestuar të shtunën rreth orës 12:56, dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë, nën dyshimin se ka kryer veprën “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Arrestimi i tij erdhi pasi i njëjti fillimisht u sulmua nga dy persona meshkuj kosovarë, të cilët i kanë shkaktuar lëndime trupore, dhe të njëjtit janë arrestuar.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, dy prej tyre pasi që kanë sulmuar fizikisht të dyshuarin e tretë i cili është mjek, të cilit i kanë shkaktuar lëndime. I dyshuari i tretë është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprën trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe për shkak të sulmit ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërsa, në rrjete sociale ka qarkulluar edhe videoja ku dëgjohet se si logopedi ka keqtrajtuar fëmijën me autizëm, teksa po e trajtonte në qendrën rehabilituese defektologjiko-logopedike.

Lidhur me rastin Dukagjini ka kontaktuar kryeprokurorin e Gjilanit, Arben Kadriu.

Ai ka thënë se Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë kërkesë ndaj Gjykatës Themelore në Gjilan, për t’i caktuar masën e paraburgimit personit që dyshohet se keqtrajtoi një fëmijë me autizëm.

Të ngjashme