Lajme
Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit për sulmin në Banjskë
Demokracia
12:15 | 17 Prill 2025

Share:

Në seancën e parë për rastin e sulmit në Banjskë – që po mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës – avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë nga sulmi, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Në fillim të seancës, të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale. Tolliq dhe Spasojeviq kishin refuzuar të deklarohen për fajësinë në seancën përgatitore të 9 tetorit të vitit të kaluar.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit shtatorin e vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përveç tre të akuzuarve që ndodhen në paraburgim, aktakuza përfshin edhe 42 të akuzuar të tjerë që ndodhen në arrati e për të cilët është kërkuar gjykim në mungesë. Për ta u lëshua letër-rrestim ndërkombëtar me qëllim për ta siguruar prezencën e tyre.

Në rastet e gjykimit në mungesë, që janë mundësuar në Kosovë me ndryshimet ligjore të vitit 2022, kërkohet që të shterohen të gjitha opsionet për ta siguruar prezencën e të akuzuarve. Në rastet e tjera të këtij lloji, Kosova u ka kërkuar autoriteteve në Serbi t’ua dërgojnë ftesën për marrje në pyetje të akuzuarve dhe rasti i gjykimit ka vazhduar vetëm pasi nuk është marrë përgjigje nga të akuzuarit.

Në seancën e sotshme, pas deklarimit për fajësinë nga të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.

Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronë në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.

Për Tolliqin, i cili ishte gjetur i plagosur, u tha se ishte kapur me armë ushatarake, ndërsa për Spasojeviqin dhe Maksimoviqin u treguan fotografi me të akuzuar të tjerë të këtij rasti.

Si avokati i familjes së Bunjakut, Koci, ashtu edhe përfaqësuesit e të dëmtuarve Alban Rashiti dhe Sedar Dushi thanë se mbështesin fjalën hyrëse të prokurorit.

Në fjalën hyrëse, Spasojeviq tha se ai nuk e ka sulmuar apo vrarë askënd dhe se nuk ka synuar bashkimin e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, me Serbinë.

Avokati i tij, Lubomir Pantoviq, tha se aktakuza nuk i plotëson kriteret e Kodit të Procedurës Penale. Kritika e tij theksonte se aktakuza nuk përshkruan veprimet individuale të Spasojeviqit por vetëm përshkruan në mënyrë të përgjithshmë ngjarjen. Ai tha se emri i Spasojeviqit se përmendet vetëm në fillim të aktakuzës, kur përmenden emrat e të gjithë të akuzuarve.

Në fillim të seancës së sotshme, trupi gjykues vendosi ta largojë nga salla një nga hetuesit e rastit, Jeton Jetullahun, pasi u tha se ai mund të thirret më vonë si dëshmitar i rastit, raporton Betimi për Drejtësi.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij./REL/

Të ngjashme