Lajme
Kërkesa për zgjatjen e afatit për targat, eksperti i sigurisë: Mund të ketë tensione nëse nuk shtyhet
Demokracia
17:16 | 25 Tetor 2022

Share:

Koha e mbetur për serbët e Kosovës që t’i ndryshojnë targat e automjeteve në RKS (Republika e Kosovës) është duke mbaruar. Atyre iu kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë në dispozicion. Të paktën kështu ishte vendimi i Qeverisë muaj më parë.

Çfarë do të ndodhë më 1 nëntor? Kjo është pyetja që duhet t’i përgjigjen autoritetet në Kosovë ngase Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që afati për ndryshimin e targave në RKS nga serbët e Kosovës të shtyhet deri në shtator të vitit të ardhshëm.

Muaj më parë, në Qendrat e regjistrimit të automjeteve, në të katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ishin kryer të gjitha përgatitjet për riregjistrimin e automjeteve që do të fillonte më 1 shtator. Por, BE-ja ishte pikërisht ajo që kishte kërkuar që afati të shtyhej për 30 ditë ndërsa, tani po kërkon edhe një shtyrje të dytë.

Kërkesa së fundmi u mbështet edhe nga numri një i diplomacisë amerikane, Antony Blinken, duke shtuar se çështja duhet zgjidhur në mënyrë paqësore.

Edhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte shprehur se shpreson se do të pranohet kërkesa e vendeve të QUINT-it dhe kërkesa personale të Sekretarit të Shtetit [Antony Blinken] për ta shtyrë afatin, për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur.

Kryeministri Albin Kuri, në një deklarim para mediave sot u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat ilegale në RKS.

Por, çfarë mund të ndodhë në rast se Qeveria nuk e pranon kërkesën e SHBA-së dhe BE-së, a mund të ketë tensione në vend?

Në lidhje më këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar ekspertin e sigurisë, Nuredin Ibishi i cili është shprehur se nëse ndodhë një situatë e tillë, atëherë edhe është e mundshme të ketë tensione.

“Unë e shoh edhe situatën e mundshme tensionuese dhe mund të ketë tensione në veri sepse qeveria serbe i dirigjon ekstremist e vet atje”, është shprehur Ibishi për lajmi.net.

Ani pse ka pasur një shtyrje më herët, Ibishi thotë se gjatë kësaj kohë është dashur që të arrihet një marrëveshje dhe të ketë një qëndrim të prerë.

“Koha kur është shtyrë afati është dashtë në mënyrë më racionale të përdoret edhe me bisedime dhe të bëhet me dije se nuk ka më shtyje të afatit. Ne po vijmë në fund të afatit më mirë të mbani qëndrim të prerë se çfarë realisht është arritur në bisedime apo çfarë është qëndrimi i tyre. Pra, po vijmë në një fazë të përfundimit të afatit që realisht nuk jemi marrë vesh çoftë me faktorin ndërkombëtarë apo edhe me palën serbe”, shtoi ai.

Eksperti i sigurisë shtoi se duhet të merren parasysh situata dhe interesat e vendit tonë dhe më mirë është të shtyhet edhe një herë afati sesa të tensionohet situata. Por, që paraprakisht të ketë konsultimeve sidomos me SHBA-të mandej edhe me prezencën ndërkombëtare të sigurisë Kosovë.

Po ashtu, tha se duhet të ketë një afat të caktuar dhe mos të ketë ndikim në reciprocitet.

“Nëse vjen deri te shtyrja, atëherë saktësisht duhet të dihen arsyet pse vjen deri te shtyrja nëse eventualisht ka në procesin e ndonjë harmonizimi, qëndrimeve apo diçka. Mirëpo, assesi ajo nuk guxon të shkon në dëm të përcaktimit për reciprocitet. Në kuptimin e asaj që pala serbe të tenton të arrijnë favore duke iu ofruar mundësi tjera që krijon dualizëm të vazhdueshëm siç ka qenë deri tash. Ky afat duhet të jetë i kufizuar në kohë normal dhe duke iu ikur mundësive që serb të realizojnë atë që po pretendojnë”, thekson Ibishi.

Serbët e veriut, më 31 korrik dhe 1 gusht, kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe. Pas kësaj, Qeveria e pati shtyrë për një muaj nisjen e zbatimit të tyre, me zotimin se një shtyrje të dytë nuk do të ketë.

Ndërsa, pavarësisht vendimit të qeverisë që përmban në vete edhe një afat kohor, vetëm një numër i vogël i serbëve i kanë konvertuar targat në RKS.

Të ngjashme