Lajme
Kërkesa për Asociacionin vazhdon ta lë Kosovën jashtë agjendës në KiE
Demokracia
17:41 | 15 Maj 2024

Share:

Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga Mbledhja e Komitetit të Ministrave në Këshill të Evropës, Kosova vazhdon të jetë jashtë agjendës së 17 majit ku dhe pritej se mund të hidhej në votim kërkesa për anëtarësim, por kushtëzimi me Asociacionin ka bërë që një gjë e tillë mos të ndodh ende. Hapa për themelimin e Asociacionit në këmbim të përkrahjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës kanë kërkuar disa prej partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

Por, sipas presidentes Osmani një kushtëzim i tillë ka mungesë të baraspeshës totale, pasi Serbisë nuk po i kërkohet që të bëjë pjesën e saj.

Kështu u deklarua dje Osmani në Samitin për Demokraci në Kopenhagë.

“Në KiE i kemi kaluar dy fazat me sukses dhe po na thuhet që po duet të implementoni Asociacionin, mirë a do ta bëjë Serbia pjesën e vetë njëkohësisht, që do të thotë vota për Kosovën në KiE, askush nuk ja kërkon këtë Serbisë. Kemi një mungesë totale të barazpeshës që minon kredibilitetin e dialogut”, tha Osmani.

Por, kryeministri Kurti i bindur ka thënë se Kosova nuk e pranon një kushtëzim të tillë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Por, ani pse kjo kërkesë është bërë nga disa shtete, kryeministri Kurti e ka cilësuar si kusht “absurd”.

Sipas Kurtit, Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara, dhe se duan një anëtarësim meritor.

“Qeveria ka punuar parreshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ne duam anëtarësim meritor. E meritojmë anëtarësimin në KiE pasi ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet e kërkuara. Anëtarësimin e shohim sidomos për nga përfitimet që sjell për qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë duke ju dhënë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Qeveria nuk e ka pranuar draftin e emisarit Miroslav Lajçak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut. Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë Bruksel dhe jo në Strasburg. Neni 7 dhe 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, si një çështje urgjente”, tha Kurti.

Se anëtarësimi në Këshill të Evropës ka lidhshmëri me Asociacionin e ka thënë edhe emisari i SHBA-së për rajonin, Gabriel Escobar. Ai ka kërkuar që Kosova të dëgjojë aleatët evropianë dhe të bashkëpunojë më ta.

“E di se ka shqetësime në mesin e anëtarëve të caktuar se Asociacioni dhe disa kërkesa të tjera që janë bërë vazhdimisht në dy vjetët e fundit në lidhje me Asociacionin dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e minoritet serb nuk janë përmbushur. Këto janë disa shqetësime se Kosova mund të mos marrë votat për Këshillin e Evropës. Në të njëjtën kohë, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me ta”, ka thënë Escobar.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i ka kërkuar kryeministrit Kurti “hapa të shpejtë dhe të pakthyeshëm për Asociacionin…në kontekstin e aplikimit të Kosovës në KiE”.

“Macron nënvizoi rëndësinë që Franca i vendos, poashtu në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, hapave të shpejt dhe të paprakyeshëm në zbatimin e Asociacionit nga autoritetet e Kosovës”, thuhej në komunikatën e presidencës franceze.

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz në bisedën telefonike që kishte pasur me kryeministrin Kurti kërkoi “hapa drejt themelimit të Asociacionit edhe në lidhje me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

“Olaf Scholz nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë nga autoritetet e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatën për media.

Mirëpo, se agjenda mund të ndryshohet në minutën e fundit e ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Madje ai ditë më parë e inkurajoi Kosovën për “vendim të guximshëm”.

Të ngjashme