Lajme
Kërkesa e Kurtit për shtimin e ushtarëve të KFOR-it, flet Kastrati
Demokracia
19:22 | 26 Gusht 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po thotë që Kosova ka nevojë urgjente për të rritur numrin e ushtarëve të NATO-s.

Krejt kjo, siç thotë ai, për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia.

I pari i Qeverisë, beson se me prezencë të shtuar do të përmirësohej edhe situata e sigurisë në Kosovë.

Por, a ka më të vërtetë Kosova nevojë për prezencë të shtuar të ushtarëve të NATO-s, flet për Front Online, gjenerali Kadri Kastrati.

Kastrati, deklaron se nëse kryeministri Kurti, ka informacione për kërcënime atëherë jo vetëm që duhet të shtohet numri i ushtarëve por të ketë edhe pajisje shtesë.

Ndërsa, shprehet se për këtë duhet të vendos edhe vet KFOR-i, varësisht prej situatës.

“Ata do të duhej ta vlerësonin vet se a ka ndonjë kërcënim nga Serbia apo, jo dhe nëse ka atëherë sigurisht që ata përmes zinxhirit komandues në Napoli ku e kanë komandën dhe në Bruksel ku e kanë selinë politike do të kërkonin që të rritej numri i ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Dhe, jo vetëm të ushtarëve por edhe të pajisjeve tjera ashtu që kryeministri sigurisht ka ndonjë informacion dhe nëse ka unë mendoj që KFOR-i duhet të jetë përgjegjës kryesor për ruajtjen e sigurisë, qetësisë së qytetarëve dhe kufijve të Kosovës”, ka deklaruar gjeneral Kastrati.

Kurse, e pranon që Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën.

“Unë mendoj që rreziqet janë evidente, Serbia tenton që ta destabilizojë Republikën e Kosovës dhe ta mbaj nën tension”, ka thënë ai.

Kastrati, ka pohuar se në të kaluarën sa i përket tensioneve në veri KFOR-i ka reaguar me shumë vonesë dhe se kjo nuk duhet të ndodhë.

“Në të kaluarën KFOR-i ka reaguar shumë më vonesë sepse ka mision dhe e ka detyrë dhe KFOR-i duhet të jetë më aktiv, jo vetëm si vëzhgues por të jetë drejtpërdrejtë i angazhuar që ta ruajë qetësinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe kufijtë e Kosovës”, ka deklaruar ndër të tjera Kastrati.

Në fund të korrikut situata në veri të vendit ishte tensionuar pasi Kosova vendosi reciprocitet me Serbinë për targa dhe letërnjoftime.

Si shkak i kësaj kishte reaguar edhe KFOR-i duke thënë se do të merr çfarëdo mase të nevojshme për të mirëmbajtur një ambient të sigurtë dhe të qetë në Kosovë gjatë tërë kohës, në linjë me mandatin e saj të OKB-së.

Pas situatës së tensionuar më kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës, vendosi që ta shtyjë për një muaj vendosjen e masës së reciprocitetit (deri më 1 shtator).

Të ngjashme