Okarina konsiderohet instrumenti më i vjetër që është gjetur në trojet shqiptare, përkatësisht në fshatin Runik të Skenderajt.
Pikërisht për këtë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po kërkon që në mesin e 1247 artefakteve të Kosovës që mbahen ilegalisht në Serbi edhe Okarina të kthehet në shtëpinë e saj, në Kosovë.
Madje për këtë MRKS-ja për këtë ka kërkuar ndihmë edhe nga Komisioni Evropian, UNESCO dhe organizata të tjera.
Një kërkesë e tillë e ka alarmuar Serbinë, duke tentuar që Okarinën e vjedhur ta shpallin si pjesë të trashëgimisë së tyre kulturore.
Ministria serbe e Kulturës i është drejtuar me apel organizatave ndërkombëtare që “të mos bien pas shfaqjeve të tilla, por të vazhdojnë punën e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, kriteret profesionale dhe faktet”.
“Ekziston një shembull tjetër i shqetësimit të rremë për trashëgiminë kulturore për ta përvetësuar dhe mbytur në trashëgiminë imagjinare të një shteti inekzistent. Metoda është e njohur prej kohësh, bëhet fjalë për mashtrimin e organizatave ndërkombëtare në përpjekje për të krijojnë përshtypjen e ekzistencës së një lloji të ri të trashëgimisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e Ministrisë serbe të Kulturës.
Kërkesa e Kosovës për ta kthyer Okarinën e vjedhur nga Serbia e ka alarmuar edhe portalin serb në veri të Kosovës “Kosovo-Online”. Ky portal, i cili njihet për lajme të rreme kundër shtetin të Kosovës dhe propagandë alla Sputniku rus, e ka mbushur ballinën me deklarata dhe reagime kundër kërkesës së Kosovës.
Lajm kryesor e ka një farë Branimir Jokiqin, i cili vetën e quan drejtor të Muzeut të Prishtinës me seli të përkohshme në Beograd. Ai në “Kosovo-Online” flet zi e terr për Kosovën dhe shqiptarët, sikur po duan ta tjetërsojnë historinë me artefakte të “rreme”.
Serbia, dihet botërisht, i ka vjedhur mbi 80 për qind të artefakteve të Kosovës, përfshirë edhe ikonën e Prishtinës “Hyjnesha në Fron” të cilën është detyruar ta kthej vetëm pas presionit të madh ndërkombëtar. /Demokracia.com/