Lajme
Kërkesa amerikane për ekstradimin e sulmuesve të 9/24 dhe ballafaqimi Osmani-Bërnabiq- çfarë u tha në Nju Jork
Demokracia
14:57 | 24 Tetor 2023

Share:

Dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres. Aty, Kosova dhe Serbia, janë përplasur sa i përket sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, derisa shumica e sulmuesve kanë kaluar në Serbi bashkë me ‘shefin’ e tyre, Millan Radojiçiq. Për ta, SHBA ka thënë se duhet të ekstradohen.

Në Këshillin e Sigurimit në OKB, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Wood, ka bërë thirrje që terroristët serbë të dyshuar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të mbahen përgjegjës.

Ai tha se sulmi i 24 shtatorit zbuloi se qytetarët janë të rrezikuar dhe se në të njëjtën kohë u rrezikuan edhe forcat e NATO-s dhe BE-së.

“ShBA e dënon sulmin e 24 shtatorit. Ishte një akt që zbuloi një rrezik të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve të Kosovës dhe gjithashtu vuri në rrezik trupat e NATO-s dhe BE-së. Duhet të ketë përgjegjësi të plotë bazuar në ligj. Individët që ikën në vendet e treta [Serbi] duhet të ekstradohen ose ndiqen penalisht”, tha Wood.

Kosova është zotuar se do të lëshojë fletëarrest ndaj Radojiçiqit, i cili e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, mirëpo ende nuk është bërë e ditur nëse janë ndërmarrë hapa konkretë për këtë.

Wood e përgëzoi Policinë e Kosovës për reagimin e tyre më 24 shtator.

“Ne e përgëzojmë Policinë e Kosovës për reagimin e tyre ndaj sulmit të 24 shtatorit dhe për koordinimin e ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in si gjatë sulmit ashtu edhe gjatë hetimit”.

Sulmin e 24 shtatorit në Banjskë e përmendi edhe shefja e UNMIK’ut, Caroline Ziadeh, pavarësisht se tha që nuk përfshihet në raportin gjashtëmujor.

Ajo deklaroi se pas hetimeve, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë, derisa shtoi se ngjarja ku u vra një zyrtar policor i Kosovës dhe tre sulmues, “ka përkeqësuar situatën” e sigurisë, e cila sipas saj, edhe para 24 shtatorit ishte e rëndë.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës”, tha ajo.

Përplasjet Osmani- Bërnabiq

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dje kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

Osmani tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”.

“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.

Osmani deklaroi se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”, derisa Bërnabiq mohoi përfshirjen e shtetit serb në këtë sulm terrorist.

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha Bërnabiq.

Më pas Osmani iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.

“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.

Në anën tjetër, Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

Bërnabiq nuk la pa përmendur asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

Rikthimi në dialog, krijimi i asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve në Veri

Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Wood u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i rikthehen dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje palëve për një kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar të BE-së të përgatitur për të ndërmarrë hapa konkretë përpara. Është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut… Vazhdojmë ta mbështesim dialogun si rruga më e mirë për pajtimin e Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Shefja e UNMIK’ut, Caroline Ziadeh, kërkoi që palët t’i kthehen dialogut dhe tha se pret nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë masa të shtensionimit të situatës, duke vënë theksin në nevojën e një “kompromisi politik” në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ziadeh tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.

Ndërsa përfaqësuesja e Francës në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka përmendur edhe mbajtjen e zgjedhjeve në Veri.

“Franca dënon sulmin e papranueshëm kundër Policisë së Kosovës, ku u vra rreshteri. Shpresojmë që hetimet të zbardhin shkaqet e këtij sulmi. Serbia dhe Kosova të kthehen pakushte në dialogun e lehtësuar nga BE. Presim nga palët që të përfshihen pa rezerva për zbatimin e të gjitha zotimeve. Përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe organizimin  e zgjedhjeve në veri të Kosovës”, tha ajo.

Të ngjashme