Lajme
Kërcënimi i Osmanit nga “Rrap Tapi”, Presidenca dhe Prokuroria përfshihen në një polemikë të ashpër
Demokracia
09:31 | 24 Maj 2025

Share:

Presidenca dhe Prokuroria e Kosovës janë përfshirë në një polemik të ashpër.

Rasti i kërcënimit të presidentes Vjosa Osmani nga një person me emrin “Rrap Tap” ka bërë që këto dy institucione të kritikojnë njëra tjetrën.

Fillimin, Presidenca e Kosovës ka shprehur shqetësimet e saj, duke vlerësuar se Prokuroria Speciale nuk ka ngarkuar asnjë prokuror që të merret me kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar për media në presidencë, ka thënë se presidentja ka marrë dhjetëra kërcënime, por deri më tani nuk është asnjë i arrestuar.

Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë të Presidentes Osmani i ardhur në adresën elektronike zyrtare të Presidencës dhe hapjes së rastit nga Policia, sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani. Deri tash ka pas dhjetëra kërcënime në vazhdimësi, por asnjë i arrestuar nga organet përgjegjëse, edhe pse shumë prej tyre kërcënimet i kanë bërë pa e fshehur identitetin”, është shprehur ai, duke kritikuar Prokurorinë.

“Është shqetësuese të mos ketë një reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, ngase kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota”, ka thënë ai në një reagim dërguar mediave.

Më pas, Prokuroria Speciale e Kosovës i ka reaguar Presidentes, duke thënë se është caktuar prokurori përgjegjës për rastin në fjalë.

Në një përgjigje nga “Kallxo”, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, citohet të ketë thënë se prokurori është caktuar të enjten.

Ndërsa, të enjten pas pranimit të raportit policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, prokuroria është në koordinim të plotë me organet e sigurisë për këtë rast.

Po ashtu, Prokuroria Speciale, siguron opinionin publik se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë të shtetit”, ka thënë ajo.

Kurse, Presidenca është habitur me këtë rast.

Në një reagim të dytë, Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit, e ka pyetur Prokurorinë Speciale se pse nuk është njoftuar prokuroria për këtë veprim.

Institucioni ynë, më 22 maj 2025, ka pranuar njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës, me të cilin konfirmohet, nga ana e Policisë, se përkundër faktit se ata ende janë në pritje të caktimit të prokurorit për këtë rast dhe se përkundër që policia dy herë ka qenë në PSRK vetëm gjatë ditës se djeshme, na është përcjellë se deri në atë moment nuk është caktuar asnjë prokuror”, ka thënë Kupina për Klan Kosova.

Sipas tij, policia është dashur të njoftohet për këtë veprim.

Prandaj, nëse vërtetë qenka caktuar prokurori, siç potencohet në këtë reagim, pyetja që shtrohet është pse për një gjë të tillë nuk e kanë njoftuar Policinë e Kosovës”, është shprehur Kupina.

Në fillim të javës, Presidenca ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani është kërcënuar përmes një e-maili anonim, i cili është pranuar më 15 maj 2025, në adresën zyrtare të Presidencës.

Të ngjashme