Lajme
Kërcënimi bërthamor i Putinit, kush i mban 3 kodet e forcave bërthamore
Demokracia
13:36 | 28 Shkurt 2022

Share:

Vladimir Putin ka vënë në gatishmëri forcën parandaluese ruse, e cila përfshin edhe forcat bërthamore. Është një masë që në vetvete do të thotë pak në aspektin praktik, por që dërgon një sinjal alarmues për nivelin e tensionit global të arritur si rezultat i krizës ukrainase.

Presidenti rus e arsyetoi vendimin e tij me “deklaratat dhe qëndrimin agresiv” të liderëve të ndryshëm të vendeve anëtare të NATO-s. Putin e bëri njoftimin e tij i rrethuar nga grada të larta ushtarake ruse, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të ushtrisë, Valerij Gerasimov.

Udhëheqësi i Kremlinit iu referua gjithashtu “sanksioneve të paligjshme” dhe furnizimeve të armëve për Ukrainën, të vendosura nga kryeqytete të shumta evropiane, jo më pak nga Gjermania, e cila fillimisht ka refuzuar të dorëzojë armë në Kiev.

Të enjten e kaluar, kur nisi aksionin ushtarak kundër Ukrainës, Putin kërcënoi me “pasoja të paprecedentë” këdo që guxonte të kundërshtonte operacionin e trupave ruse. Më herët, në të njëjtën fjali, ai e kishte quajtur Rusinë “fuqinë më të fortë bërthamore në botë”.

Sipas SIPRI-t, Instituti për Kërkime të Paqes me qendër në Stokholm, udhëheqja ruse nuk ka ndërmend të përdorë armë bërthamore në lidhje me krizën ukrainase: “Unë nuk besoj se një konflikt atomik është një pasojë e mundshme e kësaj krize”, – tha drejtori Dan Smith për agjencinë e lajmeve “Dpa”.

Atëherë pse Putini përdor një lëvizje, qoftë edhe mbrojtëse, që kujton periudhat më të errëta të Luftës së Ftohtë, kur forcat parandaluese bërthamore sovjetike dhe amerikane u vunë në gatishmëri të lartë disa herë, nga kriza e raketave në Kubë në vitin 1962 në atë që pasoi me rrëzimin e Boeing-ut korean nga sovjetikët në 1983-in?

Ky është sigurisht një ndryshim tjetër i ritmit të Putinit në presionin psikologjik dhe luftën propagandistike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë, shkruan Gazeta Si.

Por megjithatë, është tregues i qëndrimit mendor të liderit të Kremlinit, i vendosur të vlerësojë profilin e tij luftarak dhe antagonist ndaj Perëndimit. Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e quajti masën “një përshkallëzim shumë serioz”: “Putini po lëviz në një mënyrë gjithnjë e më të papranueshme”, shtoi ajo.

Zinxhiri i komandës së sistemit bërthamor rus, është modeluar sipas atij sovjetik dhe bazohet në një zinxhir me tre çelësa (që në fakt janë kode lëshimi). Njëra është në duart e presidentit, një në atë të ministrit të Mbrojtjes dhe e treta në atë të shefit të përbashkët të shtabit. Nëse edhe një nga ato kode anulohet, procedura bllokohet.

Të ngjashme