Lajme
“Kërcënimet nuk bëjnë punë”| Kosova duhet t’i kuptojë drejtë paralajmërimet e Marconit
Demokracia
11:07 | 02 Shtator 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxitur reagime të shumta në vend pas “kërcënimeve” se pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën mund të bënte të vdekur dialogun Kosovë – Serbi.

Deklarimet e shefes së shtetit ndaj paralajmërimit të presidentit të Francës, Emanuel Macron, janë vlerësuar si jo serioze.

Përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se Kosova nuk mund ta kushtëzojë BE-në për asgjë.

Zyrtari i lartë i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka komentuar paralajmërimin e presidentit francez Emmanuel Marcon për mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave për kosovarët.

Ai ka bërë me dije se ata që nuk e kuptojnë seriozitetin e këtij paralajmërimi nuk probleme serioze.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kërcënimet e ndryshme të Kosovës ndaj këtij paralajmërimi nuk bëjnë punë.

“Ata që nuk e kuptojnë sa serioz mund të jetë paralajmërimi i presidentit Makcron për rrezikun e rishikimit të vizave, nëse tregohemi të papërgjegjshëm në zbatimin e obligimeve që kemi marrë, e kanë një problem serioz në mendjen e tyre! Kërcënimet nuk bëjnë punë, veç mund të kenë efekt të kundërt!”, ka shkruar Nitaj.

Edhe zyrtari i LDK-së, Anton Berisha, ka thënë se qëndrimi i presidentes nuk duhet ta befasoj askënd.

Sipas tij, ajo asnjëherë deri me tani nuk ka treguar pjekuri shtetërore.

“Pse duhet të befasohemi nga qëndrimet e presidentes Osmani kur ajo nuk ka pasur asnjë moment në karrierën e saj politike që mund të notohej në nivelin e pjekurisë shtetërore. Të qenit sipërfaqësore, konfuze, lojcake e papërmbajtur në ambiciet personale është karakteristikë e saj, prandaj fakti që i vë kushte aleateve të shtetit të Kosovës nuk është asgjë tjetër përveçse vazhdimësi e politikes së saj infantile. Me Kurtin në kombinim është tragjikomedi e politikes së shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, gazetari Baton Haxhiu ka thënë se e para e vendit kurrë nuk e ka ushtrua funksionin që i ka takuar në raport me dialogun me Serbinë.

“Vjosa Osmani që nga dita e parë në zyrë është sjellë si një shërbëtore e Albin Kurtit. Në asnjë hap të vetëm në dialog, i cili shkoi thellësisht keq duke përfunduar pa njohje si pasojë e me autonomi kulturore e territoriale për serbët për shkak të veprimeve të Albin Kurtit, ajo nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësueses së unitetit të popullit, drejtueses së politikave të jashtme e liruar nga përcaktimet partiake, por të zëdhënëses së dobët të Albin Kurtit në çdo gafë në dialog: nga sulmi për njëanshmërine e Borell-it, deri te gënjeshtra për versione të tmerrshme të cilat i paska shmangur Kosova në Ohër në funksion të shitjes se planit franko-gjerman deri te arsyetimi i shefit të saj për një sërë veprimesh që e vunë Kosovën nën sanksione ndërkombëtare”, ka thënë në një opinion të tij të botuar në AP.

“Kërcënimi” i Presidentes Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për pezullimin e vizave nëse nuk veprohet me përgjegjësi për marrëveshjen me Serbinë.

Osmani ka bërë paralajmërim të ashpër dhe kërcënues se nëse merret një masë e tillë do të ketë “vdekje të dialogut” dhe kjo është deklarata e parë zyrtare e Kosovës në raport me ketë çështje.

Ajo ka thënë pezullimi i vizave e vret dialogun përgjithmonë dhe se këto masa nuk janë ndaj politikanëve por ndaj popullit të Kosovës.

Osmani theksoi pezullim i vizave do të ishte një padrejtësi e madhe dhe se nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet.” – ka thënë Osmani në deklarim për medie pas homazhe në Ditën e Pagjeturve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ditë më parë në fjalimin e tij para ambasadorëve, ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ku ndër të tjera ka paralajmëruar masa ndaj palëve nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.

Një ndër masat që mund të merret është edhe pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë ai.

Të ngjashme