Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale zbarkuan dje në Ministrinë e Bujqësisë, si rezultat i nisjes së hetimit mbi dyshimet për fabrikën e mbetjeve shtazore.
Pos kësaj Ministrie, janë kryer kontrolle edhe në AUV, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor si dhe te lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës.
Për këto zhvillime është intervistuar si i pandehur ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci. Këtë e konfirmoi dje Prokuroria Speciale për Klankosova.tv. Veç ministrit, është marrë në pyetje edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha.
Për rastin, Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje përmes raportit 24 orësh ku ka treguar se çka u sekuestrua.
Gjatë kontrollit u morën pajisje elektronike (kompjuterë, telefona) si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës.
“Më 27.05.2025, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike (kompjuterë, telefona), si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës. Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi policia, njofton Klankosova.tv.
Ndërkohë, para pak minutash, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar përmes një postimi në Facebook.
“U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë. Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin! Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare. Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim”, ka shkruar Peci./Klankosova.tv.