OpEd
Këndi i Vdekur i Putinit
Demokracia
08:13 | 16 Mars 2022

Share:

Çfarë i duhet tash dëshpërimisht Vladimir Putinit, Presidentit të Rusisë, është një aparaturë që shfaqet në filmat e fantastikës shkencore: Time Machine.

Po ta kishte këtë Time Machine, që për të do të kishte vlerën e të gjitha kokave bërthamore bashkë që i ka, dhe i të gjitha pasurive tokësore, nëntokësore dhe bankare që i ka pasur (sepse ato janë në shterrje e sipër për shkak të Sanksioneve gllabëruese të Perëndimit), ai do të kthehej me të shpejtë, në kohë, në mbrëmjen e 23 shkurtit të këtij viti.

Në vend që të nesërmen ta niste invazionin e Forcave ushtarake të Rusisë në gjithë Ukrainën, Putin, po ta gjente veten sërish, me këtë mrekulli, mbrëmjen e 23 shkurtit, me gjithë këtë përvojën që ka tani, ai do ta urdhëronte një operacion shumë më të kufizuar ushtarak, për të marrë edhe formalisht nën kontroll atë që Rusia realisht e ka që prej vitit 2014, apo, t’i ri-pushtojë territoret e Republikave të vetëshpallura të Luhanskut dhe Donjeckit, të cilat i njohu si shtete të pavarura, të hënën, me 21 shkurt.

Diçka e tillë zatën është pritur prej të gjithë atyre që sadopak kanë njohur ‘Modusin e veprimit’ të Putinit në të kaluarën e tij.
Po të vepronte në këtë mënyrë Presidenti i Rusisë, pra, poqëse do të okuponte ushtarakisht këto dy republika të vetëshpallura, sot, situata për Putinin dhe Moskën do të ishte ndryshe, madje, thelbësisht ndryshe.

Natyrisht, edhe në këtë variant, reagimi i pushtetit legjitim të Ukrainës, dhe i gjithë Perëndimit, përfshirë këtu edhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të ishte pak a shumë i njejtë: Dënimi i prerë i okupimit të një pjesë të një shteti sovran. Megjithatë, shkalla e sanksioneve ndëshkuese të SHBA-së, të BE-së, të Perëndimit në përgjithësi ndaj Rusisë, do të ishte larg kësaj që është shfaqur si reagim ndaj një agresioni të vrazhdë të Ushtrisë së Rusisë, i cili nuk po kursen as civil, as gra dhe fëmijë, as kopshte dhe maternitete, as ndërtesa banimi, asgjë.

Do të kishte të çara serioze në kuadër të Bashkimit Evropian deri ku duhet të shkohet në konfrontimin politik, ekonomik, financiar, qytetërues me Rusinë.

Gjithashtu, nuk do të krijohej kanali i veçantë i armatimit të Forcave të Ukrainës, i cili funksionon nga Polonia. Në këtë aspekt, Perëndimi do të tregohej i rezervuar, apo, së bashku me dënimin e qartë politik dhe diplomatik të aneksimit të Luhanskut dhe Donjeckit, do të insistonte në një dialog në mes të Kijevit dhe Moskës, ashtuqë në mënyrë paqësore dhe politike të zgjidhet çështja e dy republikave të rebeluara në lindje të Ukrainës, gjithsesi duke respektuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës.
Madje, nuk do të ishte për tu habitur nëse në këmbim të ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, Perëndimi do ta këshillonte Presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelenskyyn, që ky ta pranojë neutralitetin ushtarak të Ukrainës.

Të gjitha këto argumente të cilat nuk i ka marrë fare në konsiderim Vladimir Putin, poqëse do të urdhëronte një intervenim të limituar ushtarak, (apo ‘Operacion Special’ ushtarak, siç e quan Putin edhe këtë luftë brutale ndaj Ukrainës), megjithatë, tejkalohen me një fakt apo argument tepër evident të këtyre njëzet ditëve të luftës së Rusisë në Ukrainë: Rusia nuk
është as përafërsisht forcë ushtarake çfarë vet Putin ka pretenduar se është, apo çfarë edhe Perëndimi ka menduar se është.

Ukraina, me një rezistencë heroike, por në radhë të parë, të përgatitur dhe të organizuar mirë, poqëse këtu huazojmë atë kryefjalën e përrallës së Andersenit, ka treguar që Mbreti (lexo: Rusia, në aspektin ushtarak), është lakuriq, dhe që nuk është rendi që Rusia të shtyhet ushtarakisht me një Ukrainë, e lëre më me një shtet të madh të Aleancës Veri-Atlantike, apo me gjithë Paktin NATO.

Rusia e Putinit jo që nuk arriti me një blitz-krieg ta merr Kijevin dhe ta nënshtrojë Ukrainën për disa ditë siç synonte vet, dhe si madje parashihej edhe prej Perëndimit (Kijevi kështu nuk do të mund të rezistojë më shumë se 72 orë, thuhej në analizat e kryeqendrave perëndimore të 24 shkurtit), por për më shumë, nuk e ka aspak të qartë se si do të mund të dalë me fytyrë dhe ta shpëtojë kokën nga kjo luftë, që ka bashkuar pothuaj gjithë Botën kundër një shteti, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e njohur të njerëzimit.

Me gjasë, edhe siç paralajmëroi edhe Presidenti Zelenskyy para pak ditësh, Forcat ushtarake të Rusisë do ta mund ta marrin Kijevin (e pa okupimin e tij, kampanja në Ukrainë nuk mund të ketë sukses), vetëm nëse e kthejnë Kryeqytetin e Ukrainës në gërmadhë. Diçka e tillë do ta tmerronte gjithë Botën, do të klasifikohej si ‘Fitore e Pirros’, dhe do të kishte domethënien e krijimit të një Lëvizje ushtarake të rezistencës në gjithë Ukrainën. Ndërsa, këtu duhet shtuar që edhe për këtë variant, duhet të kalojnë javë dhe muaj të tërë të lufimeve në gjithë Ukrainën dhe në Kijev, teksa për çdo javë të re lufte, ekonomia dhe financat e Rusisë do të pësojnë edhe më shumë. Pastaj, për çdo javë të re lufte në Ukrainë, pozicioni negociator i pushtetit të Presidentit Zelenskyy do të forcohet karshi Rusisë së Putinit dhe anasjelltas: Pozicioni i Moskës zyrtare do të shënoi rënie, gjë që zatën është vërejtur ditëve të fundit, me reduktimin e kërkesave të Moskës për ndaljen e luftës.

Kjo luftë, siç është tani, nuk po i shkon për shtati Putinit. Aktualisht, nuk ka as paqe, apo Marrëveshje paqësore me Ukrainën, e cila do ta nxirrte fitues, qoftë edhe relativ, Putinin. Ai vet ka ra në grackën të cilën mendonte që mendonte se e ka përgatitur mirë për Ukrainën dhe për Perëndimin.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024
OpEd • 20 Prill 2024