Lajme
Kelmendi viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Në hapësirat e burgut në Hagë liderët e UÇK-së janë duke e mbrojtur pastërtinë e luftës dhe komandantëve të saj
Demokracia
22:38 | 14 Qershor 2024

Share:

Afaristi i njohur dhe pronari i ELKOS Group, Ramiz Kelmendi, në përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës, ka vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Kelmendi ka thënë se “liderët e UÇK-së në këtë festë të çlirimit janë duke u mbajtur në hapësirat e burgut në Hagë duke e mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe komandantëve të saj, përballë akuzave gënjeshtare dhe shantazheve të mëdha ruso-serbe pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

“Në anën tjetër gjykatat dhe organet e sajë shoviniste dhe gjenocidale serbe kidnapojnë qytetarët e pafajshëm të Republikës së Kosovës nën akuza të njëjta në burgjet e Serbisë. Në anën e  tjetër po ashtu të errët, Serbia mbanë në humnerat eshtrat e trupave të  fëmijëve, grave, burrave të zhdukur shqiptarë tash e 25 vjet të mbuluara me mbeturina dhe zallina ku vetëm ata dinë të lëndojnë e prekin prindërit, vëllezërit dhe motrat në këso forma. 25 vite pa asnjë gjurmë, të cilët nuk po e shijojnë çlirimin”, ka shkruar Kelmendi në një postim në Facebook.

Më tej Kelmendi ka thënë se “nuk ka komandant i zonave të UÇK-së që nuk ka kaluar nga ato dhoma të paraburgimit deri në prezantimin e pafajësisë së tyre pranë gjykatave Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe që të gjithë arritën të zhbëjnë akuzat e rrejshme dhe të trilluara e të nxitura nga strukturat serbo – ruse”.

“Sot e tre vite e gjysmë, pre e këtyre gënjeshtrave gjenden fytyrat më eminente politike të UÇK-së duke u ballafaquar me këto akuza nga e njëjta fabrikë e trillimeve. Aty po prezantohet pastërtia e liderëve politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe mos të harrojmë se mbrojtja juridike e këtyre liderëve duhet ndihmuar në  vazhdimësi deri në përfundimin e gjykimit dhe gjithnjë duke besuar në drejtësinë  ndërkombëtare dhe duke mos prejudikuar e nxitur ndonjë formë tjetër të  pengimit të punës së tyre – sidomos ne terren, sepse vendimi i kësaj gjykate është  me rëndësi më të madhe se dënimi ndaj individëve. Prandaj aty duhet të financohen avokatët me renome që janë të aftë t’i kundërvihen akuzave të shumta dhe të orkestruara nga akademitë e shkencave serbo-ruse, nga shoqëritë e avokatëve dhe prokurorëve serbo – rusë. Pra, liderët politiko ushtarakë kanë para vetës krijueshmëri të fortë të gënjeshtrave (Akademia e Shkencave Serbe) kanë postulat që thekson se krenaria e çdo serbi është gënjeshtra e mirë (që dëmton në veçanti shqiptarët), pra kemi të bëjmë me krenarinë kombëtare të tyre-gënjeshtrën”, thotë Kelmendi.

Kelmendi ka thënë se ishte në vizitë te liderët e UÇK-së në Hagë, “të cilët ishin krenarë që po prezantojnë pastërtinë udhëheqëse të tërë komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së në betejën përfundimtare”.

“Urova ditën e Çlirimit, biseduam shëndosh dhe me interes kombëtar. U frymëzova me qëndrimin e fortë që kishin, arritën të më japin kurajo që ekonomia dhe zhvillimi i vendit, atje, është po aq i rëndësishëm sa edhe beteja jonë këtu”.

Kelmendi thotë se ata “ishin krenarë që po prezantojnë pastërtinë e liderëve dhe gjithnjë kishin theksin se shumë shokë dhe bashkëluftëtarë kanë dhënë edhe jetën për liri, e ne këtu qëndrojmë dhe së shpejti besojmë në liri, siç edhe besojmë në drejtësinë ndërkombëtare”.

“Ata liderë duhet mbështetur me të gjitha format e ndihmës juridike, ekonomike, politike që të përballojnë akuzat e fabrikuara serbo – ruse. Unë sigurisht që do hapi kuletën e mbështetjes”.

“Urime Dita e Çlirimit, President Hashim Thaçi, Kryeparlamentar Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Urime qytetarë kjo ditë e lavdishme”.

“Faleminderit AMERIKË, Faleminderit NATO, që na mundësuat të jetojmë dhe punojmë në Liri. Falënderim të veçantë për Presidentin Rugova, Familjen Jashari, Familjen Haradinaj, heronjve dhe dëshmorëve Lavdi qe me Gjakun e tyre e bënë Lirinë dhe Pavarësinë”, ka shkruar Kelmendi.

Të ngjashme