Lajme
KEK-u s’jep informacione për importin e rrymës, tregon që tepricat e natës po i depozitojnë në Shqipëri
Demokracia
18:27 | 26 Gusht 2022

Share:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), aktualisht është duke operuar me dy njësi të Termocentralit A me rreth 130 MW/h secila dhe me një njësi të Termocentralit B, me rreth 260 MW/h, që në total prodhojnë 520 MW/h.

Në një përgjigje për Demokracia.com, përkundër që ishin pyetur edhe pse nuk po importojmë rrymë dhe po vazhdojnë reduktimet, ky institucion ka folur vetëm për eksportin, prodhimin dhe gjendjen e njësive.

KEK-u ka treguar se nuk janë duke eksportuar rrymë, sepse të gjitha tepricat e energjisë elektrike (gjatë natës) janë duke i depozituar në KESH.

“Vetëm në 5 ditët e fundit, KEK ka depozituar mbi 5.500 MW. Ndërsa, totali i depozitimit të energjisë elektrike në KESH deri më sot është rreth 130,000 MW”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut për Demokracia.com.

Sipas KEK-ut, njësia gjeneruese A3 është duke operuar me fuqi prej rreth 130 MW/h.

“Gjendja e kësaj njësie paraqitet e qetë dhe stabile, referuar Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) në fuqi kjo njësi parashihet që ta realizojë remontin e rregullt vjetor gjatë muajit tetor, remonti mesatarisht zgjat 20 ditë”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Ndërsa, njësia gjeneruese A4, po ashtu, është duke operuar me fuqi prej rreth 130 MW/h dhe gjendja e kësaj njësie gjithashtu paraqitet e qetë dhe stabile.

“Referuar planit në fuqi kjo njësi parashihet që ta realizojë remontin e rregullt vjetor gjatë muajit shtator, i cili gjithashtu zgjat mesatarisht 20 ditë”, tregon KEK-u për Demokracia.com.

Për njësinë A-5, aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat e prokurimit për remontin kapital dhe shumë shpejt pritet të përzgjidhet Operatori Ekonomik për këtë aktivitet.

“Njësia gjeneruese B1 – Kjo njësi gjeneruese është në operim me fuqi prej rreth 260 MW/h dhe gjendja aktuale e kësaj njësie paraqitet e qetë dhe stabile, bazuar në planin e aprovuar, kjo njësi tanimë e ka përfunduar remontin e rregullt vjetor në muajin korrik, 2022”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq, për njësinë gjeneruese B2, KEK ka treguar se kjo njësi gjeneruese me fuqi rreth 260 MW/h, aktualisht sipas planit është në remont të rregullt vjetor, i cili sipas planit të përditësuar pritet të përfundojë në fund të muajit.

Nga burime brenda kësaj kompanie, Demokracia.com ka mësuar se KEK-u po ka vështirësi të shumtë që të importojë rrymë, përgjegjësi që e kanë marrë nga Qeveria Kurti, pasi që KEK-ut nuk po ia shet askush rrymën në mungesë të bashkëpunëtorëve të rregullt, siç i kishte KESCO, me të cilët kishte krijuar bashkëpunim të mirë, prandaj edhe po vazhdojnë reduktimet e energjisë elektrike.

Demokracia.com ka mësuar se në të kaluarën, po ashtu, KESCO kishte importuar rrymë edhe nga Turqia.

Këto janë pyetjet që Demokracia.com ia kishte dërguar KEK-ut, i cili duket se përgjigje njëherë ka vetëm për eksportin, prodhimin dhe remontin, duke mos dhënë asnjë informacion lidhur me importimin e energjisë elektrike:

 

Të ngjashme