Lajme
KEK-u shkeli ligjin në tenderin afro 3 milionësh për sigurimin fizik, shkaktoi emergjenca për lidhjen e dy kontratave të negociuara
Demokracia
16:35 | 01 Maj 2023

Share:

Nën dyshimin për dallavere në tre tenderë, Nagip Krasniqi – Kryshef i pezulluar i Korporatës Energjetike të Kosovës, ndodhet në paraburgim. Periskopi ka gjetur se prokurimi i Korporatës ka proceduar kundërligjshëm edhe në tenderin për sigurimin e objekteve të KEK-it.

Ndërmarrja publike që prodhon rrymë, realizon tender të mëdhenj edhe për të siguruar dhe ruajtur objektet e veta.

Një tender i vlerës së madhe i negociuar pritet të lidhet nesër ndërmjet KEK-ut dhe kompanisë së sigurimeve “Rojet e Nderit” – në një vlerë rreth gjysmë milion euro. Ani pse në Kosovë ekzistojnë dhjetëra kompani të sigurimeve, KEK-u zhvilloi negociata vetëm më një kompani me arsyetimin se janë shkaktuar emergjenca të mëdha dhe se tenderi i hapur është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Ky është tenderi i dytë që do të lidhet me negocim brenda dy muajve më të njëjtën kompani për të njëjtit shërbime.

Si erdhi deri të shkelja?

Fillimisht, më datë 21 nëntor, në faqen e KRPP-së është bërë thirrja për ‘njoftim për kontratë’, me procedurë të hapur të vlerës së madhe për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut.

Vlera e parashikuar e kontratës për një vit ka qenë 2,691,148.98 euro.

Dosja e tenderit u shkarkua nga disa kompani.

Njëra nga to konsideroi që aty janë vendosur disa kritere të kundërligjshme dhe bëri parashtresë, ku kërkoi që kriteret të ndërrohen.

Ankesa i është hedhur poshtë nga zyra e prokurimit, dhe kësisoj kompania është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik -OSHP.

Ky organ autorizoi ekspertin e vetë që të shoshitë pretendimet e kompanisë ankuese. Eksperti gjeti shkelje, dhe i rekomandoi Panelit të OSHP-së që të miratojë ankesën, dhe AK të bëjë përmirësimet në dosje të tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim.

Paneli nuk e mori lenden në trajtim për disa javë, pasi ishte i zënë më tender tjerë. Meqë tenderi i vlerës së madhe, ishte në pezullim deri të trajtohej nga Paneli i OSHP-së, zyra e prokurimit të KEK-ut vendosi që të realizojë një tender emergjentë me procedurë të negociuar për sigurimin e objekteve.

Më mars 2023, tenderi iu dha kompanisë “Rojet e Nderit” me validitet për muajt Mars dhe Prill në një vlerë prej 458, 699.4 euro me TVSh.

Më pas, më datë 12 prill, Paneli i OSHP-së ka marrë vendim për tenderin e vlerës së madhe. Paneli e obligoi KEK-unë që të anuloi në tërsi “njoftimin për kontratë”. (Doc)

Çfarë shkelje gjeti OSHP-ja?

Një kërkesë e autoritetit kontraktues ka qenë se “Në rast se u jepet kontrata juve, para se ta nënshkruani kontratën, ju duhet të depozitoni një siguri të ekzekutimit në vlerë prej 50 % të vlerës së kontratës, për një periudhë të vlefshmërisë prej 30 ditë pas përfundimit të kontratës”.

Një kërkesë e tillë është konsideruar e papërballueshme për OE-të dhe e panevojshme pasi që sipas LPP-së i obligon AK-të që siguria e ekzekutimit të jetë 10% konform dispozitave ligjore vetëm në raste se ndonjë OE oferton me çmim jo-normalisht të ulët atëherë ka të drejtë AK që të rris atë deri në një përqindje tjetër qoftë edhe kjo 50%, mirëpo dihen rastet kur kjo përqindje (%) mund të kërkohet dhe jo në përgjithësi.

“Sa i përket këtij pretendimi ankimor nuk është e drejt e AK-së të kërkoj në dosjen e tenderit sigurimi e ekzekutimit 50% pasi me këtë kërkesë AK-ja ka larguar konkurrencën gjithashtu është në kundërshtim me kushtet e përgjithshme/veçanta të kontratës. Në bazë të nenit 63 të paragrafi 2 i LPP-së të jetë i barabart apo me se paku 10% po e citojm nenin: 2. Autoriteti kontraktues do të sigurojë që shuma e çfarëdo sigurie të ekzekutimit që kërkohet nga paragrafi I këtij neni:(i)të jetë e barabartë me së paku dhjetëpërqind(10%)të vlerëssë kontratës dhe(ii) përndryshe është vendosur në njënivel që është në përputhshmëri me praktikat e zakonshme publike dhe afariste të aplikueshme ndaj llojit të veçantë dhe lëndës së kontratës përkatëse Gjithashtu edhe në bazë të LPP-së dhe ne bazë të RRPP dhe UDHPP kjo kërkesë duhet të jetë vetëm 10% si kërkesë e dosje se tenderit”, ka vlerësuar Paneli i OSHP-së.

Më datë 18 prill, KEK- u e ka anuluar në tersi aktivitetin e prokurimit, siç e ka urdhëruar OSHP.

Sot, më datë 1 maj, në faqen E- prokurimit është publikuar një tender i ri, i cili përsëri është realizuar më procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

“Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të KEK-ut për 2 muaj (Maj – Qershor)”, quhet kontrata që i është dhënë ko kompanisë “Rojet e Nderit”, në një vlerë prej 466,344.02 euro.

Ndryshe nga tenderi i muajit mars, i cili ishte po ashtu për 2 muaj dhe ishte lidhur më ngecini më të njëjtën kompani për ruajtjen e të njëjtave objekte, kjo kontratë është më e shtrenjtë për rreth 8 mijë euro.

Se pse tenderi është lidhur më negocim, në njoftimin e publikuar në krpp sot nga KEK, ka qenë ky arsyetim:

“Aktiviteti i Prokurimit KEK-22-11947-2-1-1 kontrate kornize një vjeçare për shërbimet e sigurimit fizik me procedure te hapur ishte shpallur me 18.11.2022 ndërsa afati fundit për dorëzim te ofertave ishte parapare te behet me date 30.12.2022. Por, si pasoje e kërkesave për rishqyrtim para hapjes se ofertave qe KEK ka pranuar me radhë (me 23.12.2022, me 05.01.2023, me 11.01.2023, me 19.01.2023, me 22.01.2023), afati për pranimin dhe hapjen e tenderëve është shtyer. Si rrjedhojë afati fundit për dorëzim te ofertave ishte caktuar data 27.01.2023. Para mbylljes se afatit te aplikimit, nga data 26.01.2023, si pasoje e një ankese ne OSHP lënda është pezulluar, dhe si rezultat i vendimit te datës 12.04.2023 nr. 0023 0051 te OSHP-se kemi qene te detyruar te bëjmë anulimin e aktivitetit te prokurimit ne fjale, meqrast është krijuar situate ekstrem emergjente për shërbimet ne fjale dhe jemi te obliguar qe sa me pare përmes një procedure ekstreme emergjente te negociuar pa publikim te njoftimit për kontrate, sipas Ligjit te Prokurimit Publik, te sigurojmë vazhdimin e shërbimeve për një afat prej 2 muajve”.

Procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë është procedurë të cilën Autoriteti Kontraktues e përdorë për të negociuar termat e kontratës drejtpërdrejt me një apo më shumë Operator ekonomik.

Kjo është një procedurë e jashtëzakonshme dhe shmangë parimet themelore të prokurimit, në veçanti transparencës dhe konkurrencës.

Pjesëmarrësit në procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë duhet të përzgjedhen në mesin e Operatorëve ekonomik të përshtatshëm si dhe duhet të ftohen për të marrë pjesë nga ana e autoritetit kontraktues duke mos pasur për qëllim diskriminimin kundër apo në të mirë të ndonjë Operatori ekonomik. Ndërkaq, KEK-u e ka ftuar në negociata vetëm kompaninë “Rojet e Nderit”.

Më shumë gjasë, në muajin qershor, korporata do të lidhë edhe një kontratë të negociuar për sigurimin e objekteve, për shkak se kjo e fundit është veç për dy muaj, e realizmi i procedurave tenderuese në tenderët e hapur merr kohë. Kësaj i shtohet edhe fakti se KEK-u e ka anuluar njoftimin e vetë për kontratë të procedurës së hapur që më datë 18 pillë, dhe nuk ka bërë njoftim të ri për kontratë.

Pse punëtoret e korporatës ndihën të tradhtuar nga menaxhmeti?

Para vitit 2004, objektet e KEK-ut siguroheshin nga punëtorët e korporatës, në kuadër të së cilës ekzistonte sigurimi. Tash, ata punëtorë transferohen tek kompanitë e sigurimeve sa herë një nga ato e fiton tenderin. Si rezultat, dhjetëra punëtorë të koorporatës janë zhgënjyer me menaxhmentin e ri për hapjen e tenderit. Shpresa e tyre ka qenë që do të rikthehen ashtu siç kanë qenë para 18 viteve, dhe mos të huazohen më nëpër kompanitë private.

Nexhat Murati, i cili ka një kontratë të përhershme me KEK-un, është kryetar i Shoqatës Sindikale “Mbrojtja dhe Siguria”. Para pak ditëve, ai kishte deklaruar për Periskopin se është zhgënjyer me Kryshefin e KEK-ut.

“Këta tenderë ne i konsiderojmë të paligjshëm, dhe kemi pasur disa protesta. Mbrojta dhe siguria nuk është privatizuar asnjëherë, por po huazohet tash e sa vjet. Kam qenë në takim me drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, më ka thënë se nga viti 2004 çdo gjë është bërë e paligjshme për ju. Atëherë i thash, pse keni shpallur tender përsëri për këtë punë, kur nuk kemi kontrata të shkëputura me KEK-un as në mënyrë individuale as kolektive. Pra, kështu po vazhdon një avaz i vjetër me dallavere, me hajni e me kështu”, kishte thënë Murati për Periskopin.

Fillimisht, kanë qenë gjithsej 350, por me kalimin e viteve kanë mbetur vetëm 80 të cilët huazohen tek kompanitë private të cilat e fitojnë tenderin. Por, për të ruajtur objektet e KEK-ut nevojitet një numër më i madh i stafit. Nëse korporata lidh kontratë përsëri me një kompani private të sigurimit, ata kanë një kërkesë për menaxhmentin e tyre dhe Qeverinë e Kosovës.

“Kemi bërë kërkesa në KEK e në Qeveri që të kthehet sigurimi i shërbimit, ashtu siç ka qenë. Kërkesë tjetër e jona është se, nëse nuk donë kështu, atëherë punëtorët e sigurimit të transferohen në prodhime, dhe sigurim të bëhet me punëtorë të kompanive private. Sepse këta janë punëtorë legjitim të KEK-ut dhe po vazhdojnë të huazohen në firmat private në mënyrë të paligjshme. Kemi bërë kërkesa për një sigurim shtetëror, ashtu siç e ka Trepça e shumë kompani tjera publike. Pse mos të këtë edhe KEK-u ashtu siç e ka pasur, pasi ky shërbim nuk është privatizuar, por i huazuar padrejtësisht”, kishte potencuar tutje Murati.

Që nga viti 2004 e deri më tani janë rreth 50 milionë euro para që ka paguar KEK-u për kompanitë e sigurimeve për sigurimin e objekteve.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në vitin 2012, në një njoftim për media bënte të ditur se mbështet punëtorët e sigurimit të KEK-ut, sepse sipas tyre, ndërmarrja “Mbrojtja dhe siguria”, janë ata që e ruajtën këtë pasuri kombëtare në kohërat më të vështira.

Ndarja e ndërmarrjes energjetike në shumë njësi të veçanta e të pavarura nga ajo, përkatësisht procesi që u quajt “korporatizim”, sipas Vetëvendosjes ishte një mënyrë për t’u larguar nga obligimet që ndërmarrja ka ndaj punëtorëve të saj.

KEK-u nuk ishte privatizuar ende, por sipas kësaj lëvizje punëtorët e KEK-ut tashmë po i vuajnë pasojat e privatizimit që pritet të ndodhë.

“Humbjet që u shkaktuan nga korrupsioni i emisarëve politikë në bordin e KEK-ut i janë faturuar dhe po i faturohen punëtorëve”, thuhej në njoftimin e Vetëvendosjes.

Ndarja e njësive nga KEK-u sipas kësaj lëvizje, bëhet me justifikimin se ndërrmarrjes po i rritet efiçienca dhe po ashtu po rritet pëlqyeshmëria e koorporatave që duan ta blejnë këtë ndërmarrje publike, duke qenë se po zvogëlohet numri i punëtorëve.

“As njëra e as tjetra nuk ka ndodhur. KEK-u ka larguar njerëz nga puna, por çorganizimi në KEK vetëm është rritur, po ashtu dhe korrupsioni. KEK-un e ka sjellë në këtë gjendje politika e korruptuar e menaxhmentit të tij. Menaxhmenti i tij është reflektim direkt i politikave qeveritare.”

Mënyra si është trajtuar KEK-u nga qeverisjet prej vitit 1999 e deri më sot tregon mungesën totale të ndjesisë për publiken, për të përbashkëtën tonë.

Lëvizja Vetëvendosje! Thoshte se mbështet plotësisht protestat dhe kërkesat e të punëtorëve të sigurimit.

“Ne e kundërshtojmë praktikën e nëpërkëmbjes së të drejtave të punëtorëve dhe të mosmbrojtjes së punëtorëve nga asnjë instancë e pushtetit. Punëtorët në Kosovë historikisht dhe aktualisht janë arsyeja dhe baza e pasurisë sonë të përbashkët. Këtë pasuri që e kanë krijuar ata jemi të obliguar ta mbrojmë të gjithë, duke u obliguar kështu t’i mbrojmë edhe punëtorët”.

Komunikata nuk është më në uebin e LVV-së.

Të ngjashme